Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz është zotuar të vazhdojë dëbimin e azilkërkuesve nga Afganistani, pasi një oficere policie u sulmua në një qendër paraburgimi në Vjenë.
“I uroj shërim të shpejtë polices së plagosur”, tha Kurz pas sulmit të së mërkurës, siç citohet nga media austriake.
“Është e papranueshme që njerëzit vijnë tek ne për mbrojtje, por as nuk i përmbahen ligjeve tona dhe as nuk i pranojnë vlerat tona. Incidente si kjo tregojnë pse nuk duhet të ndalet deportimet drejt Afganistanit.”
Një 28-vjeçar me shtetësi afgane, i cili ishte ndaluar në një stacion policie në Vjenë në pritje të dëbimit, goditi me grushte e shkelma një oficere policie. Në fund i riu u ndalua nga policia ndërsa efektivja u dërgua në spital me plagë në dorë e qafë.
Incidenti i së mërkurës erdhi pasi policia austriake arrestoi tre afganë të dyshuar për përfshirje në përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 13-vjeçare në fillim të këtij muaji.
Dy të dyshuar, të moshës 16 dhe 18 vjeç, janë azilkërkues, ndërsa një tjetri, 23 vjeç, i është hequr statusi i mbrojtur si rezultat i tre dënimeve, përfshirë një për grabitje. Njëri nga të rinjtë ka mohuar çdo përfshirje në sulmin seksual dhe vrasjen e vajzës.