Vendosni fjalën kyçe....

Rusia ia ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatit komunist për president


Autoritetet zgjedhore në Rusi të shtunën morën vendim për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të shtatorit kandidatit një kandidati të njohur të Partisë Komuniste. Ai është figura e fundit opozitare që diskualifikohet nga gara disa javë para zgjedhjeve.

Pavel Grudinin, i cili kishte marrë 12 për qind të votave, kur e kishte sfiduar presidentin Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, u përjashtua nga lista e kandidatëve për shkak se Zyra e Prokurorit zbuloi se ai ka aksione në një kompani të huaj, raportuan agjencitë e lajmeve.

Megjithatë, ai mohoi se ka ndonjë aset jashtë vendit dhe e lidhi vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor me potencialin që e kanë partitë opozitare për të arritur rezultat të fuqishëm në zgjedhjet e shtatorit, shkruan Reuters.

Një sondazh i kryer kohëve të fundit tregoi se Partia Komuniste dhe partitë tjera opozitare mund të përbëjnë rrezik serioz ndaj mbizotërimit të partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar, në Dumën Shtetërore, që është dhoma e ulët e Kuvendit të Rusisë.

“Partia (Komuniste) është parti opozitare. Dikush është i frikësuar nga efekti i madh që bashkimi i forcave të majta do të mund të kishte”, citohet të ketë thënë Grudinini.

Kryetari i Partisë Komuniste të Rusisë, Gennady Zyuganov, u zotua se do të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të autoriteteve që ia ndalon pjesëmarrjen në garë kandidatit të partisë së tij.

Sipas anketës së një organizate të pavarur, të bërë në muajin mars, 27 për qind e rusëve do ta votonin partinë e Putinit, 12 për qind Partinë Liberale Demokratike dhe 10 për qind Partinë Komuniste.