Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë njofton se në Shqipëri ka hyrë lloji Delta i Covid-19, u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen


Ministria e Shëndetësisë ka theksuar sot se në Shqipëri ka hyrë varianti Delta i Covid-19. Në njoftim thuhet se konfirmimi ka ardhur pas analizave të dërguara në Institutin e Virologjisë Charite në Berlin të Gjermanisë.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksnimit në mënyrë që të shpëtohen jetë.

Po kështu në njoftim thuhet se lloji Delta është më ngjitës së të tjerët e për këtë arsye kërkohet respektimi i masave të distancimit fizik, mbajtja e maskës në mjedise të brendshme si dhe rritja e higjienës.

Njoftimi

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.

Vaksinimi, shpëton jetë!  Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese:

Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.

Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.

Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo nëvend, deri në orën 8 të mbrëmjes.”