Vendosni fjalën kyçe....

Nënshtrimi


Nga Erl Kodra*

Më kujtohet një skenë nga filmi i Winston Churchill. Ishte koha kur qeveria britanike po diskutonte planin për një marrëveshje të fshehtë me ndërmjetësinë e Musolinit për paqe me Hitlerin.

Në mëngjes Churchill niset për punë me shoferin. Ditë tipike londineze me shi, dhe njerëz që nxitonin. Makina ndalon në semafor, ndërsa Winston Churchill zbret nga makina, përzihet me turmën dhe futet në metro. Pyet një vajzë të vogël se cilin tren duhet të marrë për të shkuar në Westminster.

Sapo hyn në tren, të gjithë e shohin me habi.

– Pse më shikoni – pyet Churchill – çfarë kam të çuditshme?

– Nuk kemi parë ndonjëherë Kryeministrin e Anglisë në tren – ia pret një djalë i ri.

Churchilli fillon të bisedojë me njerëzit. Ulet mes tyre duke i pyetur për emrat. Një gruaje të re me një foshnje në krahë e pyet për emrin e fëmijës. Dhe ia pret – më ngjaka mua – se mua të gjitha foshnjet më ngjajnë.

Pastaj thotë: si mendoni ju Lady – duke iu drejtuar një vajze të re – nëse sipër nesh, nëpër rrugët e Londrës, kur të zbresim nga ky tren, në dalje të na kontrollojnë oficerët gjerman? A do të ishte në rregull?

– Jo zotëri – ia ktheu vajza. Unë nuk do ta pranoja kurrë!

– Kurrë – ia priti një djalë i ri me ngjyrë.

– Kurrë – folën me rradhë secili prej udhëtarëve.

Pas pak çastesh Churchilli arrinë në Selinë e Qeverisë, ku e priste Kabineti i Luftës për detajet e marrëveshjes me Hitlerin.

Winston Churchill thotë:

– Zotërinjë!

Pasi u konsultova me Olivia Willow, Emy Jones, Patric Stones, Peter Smitth … (të gjithë emrat e njerëzve që kishte takuar në metro) dhe pasi e diskutuam gjerë e gjatë se sa turp dhe tmerr do të ishte kapitullimi para Adolf Hitler, vendosa që kurrë të mos nënshtrohemi.

*Autori shkruan me pseudonim. Hashtag.al publikon pjesë të tij sa herë e gjykon në interesin publik.