Policia ka dhënë hollësi lidhur me operacionin ku mbeti i plagosur një person i shpallur në kërkim.
Sipas bluve, bëhet fjalë për operacionin ‘Bratosh’ ku forcat RENEA kanë rrethuar një stan bagëtish ku fshihej 52-vjeçari Ardian Narkaj, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes për t’u dorëzuar.
Gjatë tentativës së Narkajt për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, efektivët e kanë qëlluar pasi 52-vjeçari ka qenë i armatosur.
Në njoftimin e policisë thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri pushkë me fishek në fole gati për qitje.
Njoftimi
“Shkodër
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat RENEA, në bazë të informacioneve të marra për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim prej 10 vitesh, i dënuar për vrasje të dyfishtë, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Bratosh”.
Në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” Bratosh, Malësi e Madhe, forcat speciale RENEA kanë rrethuar vendin (stan bagëtish) ku fshihej shtetasi në kërkim Ardian Narkaj dhe i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar.
Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të policisë, por ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ky person ishte i armatosur. Ata i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar.
Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë.
52 vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga Renea dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar.
Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë me fishekë në fole gati për qitje.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po kryen veprimet hetimore.
Shtetasi Ardian Narkaj ishte në kërkim, i dënuar me 21 vite burgim për vrasje të dyfishtë dhe armëmbajtje pa leje.
Shtetasi Ardian Narkaj është autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2008 në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe, ku janë varë me armë zjarri shtetasit T. U. dhe Gj. Sh.
Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 21 vite burg për veprat penale “Vrasja rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.”