Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kroaci ku pas rrëzimit të një autobusi kanë humbur jetën të paktën 10 udhëtarë nga Kosova.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Slavonski Brod ndërsa brenda autobusit të rrëzuar ndodheshin 60 udhëtarë.
45 persona janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, prej të cilëve 8 janë në gjendje të rëndë, thonë autoritetet kroate.
Autobusi po udhëtonte në linjën e rregullt Prishtinë-Frankfurt-Prishtinë ndërsa po kthehej nga Gjermania.
“Në orën 6:22 të mëngjesit, Departamenti i Policisë në Brod ka marrë informata për aksidentin e një autobusi. Me të arritur në vendin e ngjarjes, u përcaktua se ishte një autobus me targa të Kosovës në linjën e rregullt Frankfurt – Prishtinë. Një hetim është duke u zhvilluar. Disa njerëz kanë humbur jetën dhe rreth 30 janë dërguar në spital. Çdo informacion i mëtejshëm do të jepet pas përfundimit të hetimit”, thuhet nga shefi i Policisë Rrugore në Slavonski-Brod, Franjo Galiq shkruan Koha.
Nga kompania turistike, ‘Deva Tours’ nga Gjakova deklaruan për Gazetën Express se autobusi që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Slavonski Brod të Kroacisë kishte emigrantë nga Frankfurti që po vinin për në Prishtinë.
“Po, autobusi ka pasur brenda mërgimtarë që po vinin në Kosovë”, kanë pohuar nga kompania ‘Deva Tours’.