Vendosni fjalën kyçe....

Turizëm në Shqipëri? Efektivët shtojnë kontrollet në rrugë dhe gjobisin 1788 drejtues


Tani që sezoni turistik është “nxehur” duke arritur dalëngadalë ditët më të ngjeshura të frekuentimit të brigjeve shqiptare, edhe sfidat bëhen më të mëdha. Qarkullimi i mjeteve në rrugë është shtuar por po ashtu rreziqet që rrezikojnë jetë njerëzish si mosrespektim i rregullave të qarkullimit, alkooli apo mbajtja e celularëve gjatë drejtimit.

Për të parandaluar situata të rrezikshme Policia Rrugore ka vendosur të shtojë kontrollet duke paralajmëruar por edhe duke vendosur penalitete sipas situatave.

Në segmentin Milot-Morinë efektivët e Shqipërisë janë shoqëruar edhe nga efektivët e Kosovës, duke monitoruar përgjatë javës 24 orë në 24 në të dyja kahet e lëvizjes së autostradës me radarë, dronë, kamera apo patrulla të lëvizshme.

Në të gjithë vendin përgjatë 24 orëve të fundit, janë vënë në pranga 12 drejtues mjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.  Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 45 leje drejtimi, nga të cilat 31 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Po kështu të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 1788 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.