Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim me gjuhën e Erion Veliajt, flet për “cinizëm” të disave


Ditën e djeshme, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj prezantonte disa nga autobusët të quajtur prej tij “hibridë”, mbajti një fjalë të gjatë.

Në sy ra një fjalë më shumë se të tjerat e përdorur prej tij; “Cinizmi”.

“Unë e di se njerëz cinikë dhe shpotitës ka gjithmonë po ne e marrim shumë seriozisht”, tha para kamerave të veta Veliaj.

Mirëpo jo më larg se një ditë më pas, të njëjtën fjalë e gjejmë të përdorur nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, zonja Yuri Kim. Edhe ajo flet për “Cinizëm të disave”, duke shtuar edhe konceptin e obstruksionizmit, praktikës së pengesave dhe bllokimit.

Kim dhe Veliaj gjatë ceremonisë për stërvitjen “Defender 21”

“Disa gazetarë më pyetën a kam shpresë për Shqipërinë dhe çfarë mendoj për reformën në drejtësi dhe të ardhmen. Ju thashë atyre që kisha shpresë pafund, që përtej obstruksionizmit dhe cinizmit të disave, reforma në drejtësi po tregon çdo ditë e më shumë rezultate dhe se ajo që është kritike tani për shqiptarët është të vazhdojnë të kërkojnë ndryshim, të ecin përpara bashkë, asnjëherë të mos dorëzohen….

Le të vazhdojnë të zgjedhin shpresën (që kërkon punë të madhe) mbi cinizmin (që në opinionin tim është diçka dembele, moralisht e intelektualisht). Le të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen që Shqipëria meriton. Ka punë të madhe por Amerika do jetë me ju në çdo hap deri te i fundit.”, shkruan në profilin e saj në “Instagram”, ambasadorja Kim, teksa ndan dhe një foto me ansamblin “Zanat”.