Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen gjashtë persona në Elbasan e Vlorë


Gjashtë persona janë arrestuar në Elbasan e Vlorë.

Në Elbasan janë arrestuar pesë persona të cilët janë kapur në flagrancë duke vjedhur banesën e një personi në lagjen ‘Emin Matraxhiu’.

Grupi i personave dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera në qytet. Te arrestuarit janë Limi Lloçja, Bernis Murati, Ilmi Toça, Ermir Baca e Blerti Rrançi.

Në Vlorë është prangosur një 32-vjeçar i shpallur në kërkim. I riu me iniciale R.Sh. alias J.O. akuzohet për vrasje e armëmbajtje pa leje.

Arrestimi i tij ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur më 13 dhjetor 2020 ku gjatë një konflikti çasti, ai ka provuar të vrasë 38-vjeçarin me iniciale B.A.

Njoftimi Elbasan

“Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të ndodhura më parë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të vidhnin në një banesë në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, u organizua dhe u finalizua më sukses operacioni policor i koduar “Banesa e fundit”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L.Ll., 33 vjeç, B. M., 19 vjeç, I. T., 19 vjeç, E. B. 18 vjeç dhe B. Rr., 18 vjeç, banues në Elbasan.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë, në mesnatë, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit P. S., në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan. Nga veprimet e kryera rezulton se këta shtetas dyshohen se janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet në pronësi të shtetasit B. Rr., me të cilin këta shtetas kryenin vjedhjet, si dhe një mjet prerës thikë. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.”

Njoftimi Vlorë

“Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Kapet dhe ndalohet një 32-vjeçar i shpallur në kërkim, për veprat penale  “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Forcat e Posaçme “Shqiponja” kanë lokalizuar dhe vënë në pranga shtetasin R. SH alias J. O., banues në Vlorë. Ky shtetas, më datë 13.12.2020, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka tentuar të vrasi me armë zjarri, shtetasin B. A., 38 vjeç, banues në Vlorë. Më parë në lidhje me këtë ngjarje është vënë në pranga nga Policia shtetasi K. M., 47 vjeç, për veprën penale “Moskallzimi i krimit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.”