Presidenti Ilir Meta emëron Artur Kalanë gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Artur Kalaja kaloi vettingun muaj më parë.
“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas administrimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 19.07.2021, të propozimit të arsyetuar të përcjellë me shkresën me nr. 3390/2 prot., datë 19.07.2021 dhe Vendimit nr. 311, datë 16.07.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Artur Kalaja”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur për kandidim me vendimin nr. 87, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosa të: D E K R E T O J: Zoti Artur Kalaja emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.”, njofton Presidenca.
Kalaja do të jetë anëtari i tetë i gjykatës, bashkë me anëtarët Sokol Sadushi, Ervin Pupe, Ilir Panda, Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi. Gjyqtari i dekretuar sot e kaloi vettingun në nëntor të 2019-ës.
Meta i bën thirrje KLGJ-së që të vijojë me ritme të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, për të plotësuar 19 anëtarët.
“Presidenti i Republikës, përsërit edhe një herë thirrjen ndaj KLGJ-së se, duhet të vijojë angazhimin me ritme të shpejta për procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate mbështetjen e nevojshme.
Presidenti i Republikës, vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht dhe funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin, lidhet direkt me procesin e integrimin Europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”, deklaron më tej Presidenca.