Vendosni fjalën kyçe....

Republika Sërpska do bojkotojë institucionet e Bosnjës për mohimin e gjenocidit


Përfaqësues të partive politike nga Republika Sërpska, kanë marrë vendim që, nga dita e hënë, 26 korrik, nuk do të marrin pjesë në punime dhe vendimmarrje të institucioneve shtetërore të Bosnje-Hercegovinës, apo në Parlamentin e këtij shteti, Këshillin ministror dhe kryesinë e Bosnje-Hercegovinës.

Këtë vendim e kanë marrë liderët e partive nga Republika Sërpska gjatë një takimi në Banja Llukë, pas vendimit të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Valentin Inzko, me të cilin është ndryshuar Kodi Penal i këtij shteti, e në bazë të të cilit, dënohet mohimi i gjenocidit, dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës.

Përfaqësues të partive nga Republika Sërpska, entitet në Bosnje-Hercegovinë, kanë thënë se nuk e pranojnë vendimin e Inzkos.

Mirko Sharoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, ka thënë se është plotësisht e qartë se kurrë më nuk do të pranojnë asnjë vendim të Përfaqësuesit të Lartë.

Anëtari serb i kryesisë trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë se përfaqësuesit politikë të serbëve, nuk do të marrin më pjesë në vendimmarrje, derisa nuk shqyrtohet sesi do të anulohet ky vendim.

“Nuk do të jetoj në një shtet, ku dikush në faqen e vet mund të marrë vendime”, ka thënë Dodik, përcjell REL.

Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, më 23 korrik, ka vendosur ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e ka marrë këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

Përfaqësuesi i Lartë ka thënë se mohimi i gjenocidit dhe mohimi i krimeve të tjera të luftës janë veçanërisht të rrezikshme në një vend si Bosnja, e cila në të kaluarën e saj të afërt, ka përjetuar fushata të tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve masive të kryera gjatë një konflikti brutal dhe të përgjakshëm.

Ky vendim parasheh burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.

Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, theksohet në vendim.