Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali: Kjo arkitekturë e re e drejtësisë s’e lejon ndikimin!


 

Elisa Spiropali, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin ka komentuar reformën në drejtësi sipas asaj që ajo e cilëson arkitektura e re.

“Kjo arkitekturë e re e drejtësisë s’e lejon ndikimin!”, theksoi Spiropali e ftuar në studion e lajmeve në “News 24”, në rubrikën “Opinion”.

“Duket se deri tani SPAK po godet vetëm të ‘majtët’. Ju vjen keq, a ka një përgjegjësi morale nga ju?”, e pyeti gazetarja në studio, ndërsa Spiropali komentoi: “Në çështjet e drejtësisë s’ka socialistë apo demokratë, por ka njerëz që duhet të përgjigjen para drejtësisë. Të fitojnë pafajësinë e tyre. Çdo koment është i tepërt për secilin rast. Në ndryshim nga e shkuara, kur politika mbante të gjitha fijet e drejtësisë dhe shpëtonte shokë e bashkëpunëtorë, sot ka perënduar. Kjo arkitekturë e re e drejtësisë s’e lejon ndikimin. Ka nisur një epokë e re ndryshimi për Shqipërinë.

A do ndjehet keq nëse nuk do jetë ministre? Spiropali e pati të shkurtër përgjigjen: “Jo. Nuk është në targetin tim por të kryeministrit. Në fund të gushtit do të mblidhet asambleja kombëtare, e aty do të konfirmohen të gjitha.”

Ministrja ka komentuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me faktin nëse e pret në parlament duke thënë: “E ka deklaruar. Nuk do i ndahet skenës politike, as ashtu me shpirt ndërdhëmbë. Ne nuk kërkojmë dhe as presim gjë prej tij.”

Po kështu ajo ka komentuar edhe largimin e Gramoz Ruçit. “S’e di nëse a mund të zëvendësohet Gramoz Ruçi. Është një personalitet i rrallë i politikës shqiptare. Ishte zgjedhja e tij largimi. Ai do të na mungojë por besoj do e kemi pranë me këshillat e tij.”, u shpreh Spiropali.

Pyetjes se çfarë do të jetë ndryshe në parlament këtë mandat të tretë ministrja Spiropali u përgjigj se nuk do angazhohen në asnjë debat politik të pavlerë.

“Ne nuk do të angazhohemi në asnjë debat politik të pavlerë për qytetarët që nuk prodhon alternativa apo ide. Në Kuvend do të përballemi për idetë tona, por s’do të bëhemi në sulmet dhe kundërsulmet personale. Për opozitën kemi të njëjtin ofertë. Jemi shqiptarë, pa dallim, të ulemi në tryezë dhe të gjejmë pikat e përbashkëta për interesin kombëtar. Integrimi s’është i yni, por i shqiptarëve. Kjo opozitë e provoi çdo të thotë të dalësh në rrugë. Jam e bindur që do të jenë në Kuvend, por s’e di sa produktive do të jetë retorika e tyre. Beteja e tyre duhet të jetë parimore. Pushka top për çdo përballje parimore. Ata duhet ta kapin këtë moment bashkëpunimi.”, u shpreh Spiropali.