Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, njëherazi anëtar i kryesisë së kësaj force politike në Korçë, Andrea Mano, ka dhënë dorëheqjen, bashkë me sekretarin e PD-së Devis Osmani si dhe 12 anëtarë të tjerë të kryesisë.
Në një deklaratë për mediat ata bëjnë me dije se shkaqet për këtë dorëheqje të parevokueshme janë mospërfaqësimi i demokratëve të Korçës nga ata që i quajnë importet e Lulzim Bashës si dhe mungesa e vullnetit për të analizuar shkaqet e humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.
Në deklaratën në emër të anëtarëve të dorëhequr të kryesisë së PD-së në Korçë, ish-kreu i saj Andrea Mano thekson se kreu i PD-së, Basha, me arrogancën e tij po e kthen PD-në në parti klienteliste në mbrojtje të interesave personale.
Po kështu në deklaratë thekohet se Basha po e mban partinë qëllimisht të frenuar që të mos luftojë qeverisjen katastrofike të Edi Ramës.
Deklarata e Andrea Manos
“Të nderuar demokrate dhe demokratë!
Nisur nga sa ka ndodhur dhe po ndodh me drejtimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kemi dalë sot para jush dhe para opinionit publik, si anëtarë të kryesisë të Partisë Demokratike dega Korçë, për të dhënë dorëheqjen tonë nga funksionet drejtuese që mbajmë.
Gjykojmë që, lideri aktual i saj, po tenton me arrogancën e tij, ta kthejë Partinë Demokratike në një parti klienteliste dhe në funksion vetëm të interesave të tij personale.
Me veprimet apo mosveprimet e tij, mendojmë se Z.Basha ka hedhur poshtë të gjithë mundin dhe sakrificat tuaja dhe tonat në opozitën më të vështirë në historinë e Partisë Demokratike.
Gjithashtu, me këtë mënyrë drejtimi, mendojmë se Partia Demokratike po mbahet qëllimisht e frenuar prej tij për të luftuar qeverisjen katastrofike të Edi Ramës.
Të ndodhur në këto kushte, e gjejmë të pamundur të ushtrojmë funksionet tona dhe të shohim me optimizëm drejt së ardhmes të kësaj partie.
Theksojmë me forcë, për ti mbyllur rrugën të gjitha hamendësimeve, se jemi dhe mbetemi anëtarë të Partisë Demokratike dhe mbështetës të ideve dhe vlerave që ajo mbart që nga dita e krijimit të saj.”