Vendosni fjalën kyçe....

Delegacioni i BE-së për zgjedhjet: Raporti konfirmon se ishin të mirëorganizuara


 

“Raporti konfirmon se ishin të mirëorganizuara”, ky është komenti i Delegacionit të BE-së, lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Komenti vjen një ditë pas publikimit të raportit të ODBE-ODIHIR-it. Delegacioni ripërmendi edhe njëherë gjetjet e raportit.

Deklarata e plotë e delegacionit të BE-së:

“Raporti përfundimtar të Misionit të Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, i cili u zhvillua të dielën, më 25 prill, konfirmon se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i reformuar, mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke gëzuar besimin e palëve të interesuara. Raporti konfirmon gjithashtu shqetësimet në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore apo funksioneve zyrtare nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike.

Raporti përfundimtar ofron rekomandime për të përmirësuar kuadrin zgjedhor në #Shqipëri në linjë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike. Ne nxisim Parlamentin e ri të angazhohet në një dialog konstruktiv për të trajtuar rekomandimet si çështje me përparësi në legjislaturën e ardhshme, si dhe për ta përshtatur kornizën ekzistuese ligjore shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme.

Ne gjithashtu i nxisim autoritetet kompetente shqiptare të përfundojnë hetimet dhe procedimet mbi pretendimin për blerje së votës dhe rrjedhjen e informacioneve personale sensitive. BE-ja përsërit angazhimin për të punuar së bashku me Shqipërinë për trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.”

Dje OSBE-ODIHR ka dhënë edhe rekomandime që vendi duhet të përmbushë për në zgjedhjet e tjera. Në raport ODIHR thotë se qeveria përdori avantazhin e kontrollit të Bashkive si dhe keqpërdori burimet administrative.