Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin e ndodhur në Gërdec.
Prokuroria Speciale kërkoi rihapje të hetimeve pasi e konsideron Mediun si përgjegjës për shpërthimin tragjik ku humbën jetën 26 persona ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur.
Në vendimin e zbardhur mes të tjerave nga ana e gjykatës thuhet se hetimet për Mediun nuk do të nisin për shkak se prokuroria nuk ka pasur pengesa në këto 10 vite për të hetuar, dhe tashmë çështja është parashkruar.
“Deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë.” – thuhet mes të tjerash në argumentimin e gjykatës.