Prirjen e disa komentuesve në rrjetet sociale për të kritikuar Dua Lipën gjatë vizitës së saj në Tiranë, ku takoi kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeministrin Edi Rama dhe familjet e tyre e ka komentuar edhe gazetarja Mira Kazhani.
Ajo e quan “frustrim” atë që ndodhi.
“Për kombin shqiptar dhe dy shtetet tona nuk ka fushatë imazhi më të mirë sesa suksesi i njërit nga ne. Fundjava në Tiranë nisi me lajmin e Dua Lipës që po rindërton një kopsht pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 2019-ën. Nëse do të ishte vetëm kaq, Dua do të largohej thjesht si ylli që erdhi në Shqipëri, pooor darka dhe pritja që iu bë asaj familjarisht me kryeministrin dhe kryebashkiakun, i ndezi disa xhelozi jo për Duan – se fama dhe talenti i saj ta bëjnë të pamundur të merresh me të personalisht -por ngjarja provokoi ndjenja artistësh, të cilët ndihen të pavlerësuar personalisht nga Shqipëria.”, shkruan Kazhani.
Ajo mendon që “me siguri këtu ka edhe plot të tjerë që mendojnë se Shqipëria iu rri e vogël dhe siç thoshte dikur një ish- kryeministër “ç’t’ju bëj që keni Francën, se dija unë si ju sillja vërdallë”. Këtu ka politikanë e gazetarë që besojnë se në Manhattan, Londër edhe Romë do kishin qenë në apogjeun e tyre. Sigurisht, shumë nga këta mund të mos kishin asnjë shans dhe ndoshta disa do shisnin hamburger, sepse sa më i fortë shteti aq më e fortë konkurrenca. Dhe falë Shqipërisë, këtu ka Vip-a me shumicë.”.
Për Kazhanin Shqipëria është treg i vogël dhe që nuk të jep mundësi as para 60-milionësh as 200- milionësh. “… por ky është vendi ynë e s’na takon ta mallkojmë, por ta pranojmë dhe sidomos ta ndryshojmë! Jo vetëm duke ndryshuar fatin personal, por duke e parë si një histori kolektive dhe shans të barabartë. Politika 30 vjet s’ka mundur të krijojë një traditë në sporte dhe art. Ose ka qenë me hope, ose krejt spontane, si me kampionatin europian. Ka funksionuar me favore personale dhe me individë dhe asnjëherë si një ndërmarrje për vendin dhe brezat.”, shkruan më tej gazetarja.
Megjithatë sipas saj politika do të gjykohet në të ardhmen për këtë borxh.
“Sepse, sot është ky ngërç që ndikon të biem në kurthin e xhelozive dhe personalizimeve. Peshkohemi lehtë, si nga xhelozia dhe krenaria. Çështja është të shohim përtej hundës tonë. Për ata që ia dalin vetë, pavarësisht gjithë këtyre frenimeve, ka vetem respekt, siç është rasti i Dua Lipës; provë e gjallë e suksesit të një emigranteje në dhé të huaj, në një vend ku askush s’ia ka shtruar tapetin e kuq dhe ka garuar si të gjithë adoleshentët ëndërrimtarë, pa asgjë nga pas, as para, as makineri, as portale e gazeta e revista promovuese.”, mendon Mira Kazhani.