Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekoron dy heronjtë e Kosovës Avdi Kelmendi dhe Rrustem Bruçi


Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot dy veprimtarë të shquar dhe heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Avdi Kelmendi (pas vdekjes) dhe Rrustem Bruçi (pas vdekjes).

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta dekoroi veprimtarin dhe atdhetarin Avdi Kelmendi (pas vdekjes) “Në vlerësim të rolit të patjetërsueshme dhe atdhetar si një nga organizatorët dhe prijësit e demonstratave të vitit 1968-të në Kosovë. Me mirënjohje për kontributet e veçanta e të vyera në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave të rinj.”

Ndërsa me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Presidenti i Republikës vlerësoi njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorin Rrustem Bruçi (pas vdekjes): “Me nderim dhe respekt të lartë për kontributet e tij si ushtarak me përgatitje të lartë profesionale, duke u shquar si një  nga komandantët e ndritur të Luftës Çlirimtare të Kosovës, dhe si udhëheqës dhe fitimtar i Betejës së lavdishme të Loxhës, ku bëri edhe sakrificën më sublime duke dhënë jetën si Dëshmor i Atdheut.”

“Sot ne nderojmë dhe vlerësojmë Profesor Avdi Kelmendin, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Lipjan dhe rrethina, ku kërkesa kryesore e këtyre demonstratave ishte liria e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar dhe Kosova Republikë.

Profesor Kelmendi u burgos, u persekutua, u torturua nëpër burgjet serbe, por asnjëherë nuk u dorëzua deri në frymën e tij të fundit, duke iu mësuar nxënësve të tij dhe brezave të rinj dashurinë për gjuhën shqipe, flamurin kombëtarë, Shqipërinë mëmë, si dhe sakrificën për liri dhe bashkim.

Gjithashtu, sot nderojmë dhe vlerësojmë edhe veprën dhe heroizmin e Rrustem Bruçit. Komandant Rrustem Bruçi, në vazhdim të idealeve të brezave të mëhershëm, që në ditët e para doli në radhët e Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës.

Organizoi dhe përgatiti luftëtaret e lirisë, çdoherë në ballë të betejave, duke iu prirë ushtarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij në luftën për liri. Komandant Rrustem Bruçi, intelektuali dhe ushtaraku i rrallë, e dha jetën për lirinë e Kosovës, në njërën prej betejave më të rëndësishme të UÇK-së, në betejën e Loxhës afër Pejës.”, tha Meta gjatë ceremonisë.