Vendosni fjalën kyçe....

Sardenja nën ‘pushtetin’ e flakëve, Italia i kërkon ndihmë BE-së (Foto/Video)


Zjarret masive kanë shkatërruar dhjetëra mijëra hektarë në ishullin italian të Sardenjës. Zjarrfikësit po përpiqen të vënë nën kontroll zjarret që po digjen për të tretën ditë radhazi duke bërë ndërkohë që Roma ka kërkuar ndihmë nga BE-ja.

Më shumë se 20,000 hektarë pyje dhe tokë janë shkatërruar në Sardenjë ndërsa zjarret po veprojnë në rajonin Montiferru në perëndimin e ishullit.

Videot e botuara në mediat sociale treguan mure gjigante zjarri që lëvizin përgjatë shpateve të maleve. Avionët që po përdoren për të shuar flakët u dërguan menjëherë pranë zonave të banuara për të penguar që ato t’u afrohen banesave.

Asnjë vdekje ose lëndim nuk është raportuar deri më tani, por qindra dele, dhi, lopë dhe derra  kanë ngordhur nga flakët pasi kanë qenë të bllokuara në ferma.

Të dielën, Italia u kërkoi ndihmë vendeve evropiane për të shuar flakët duke kërkuar veçanërisht aeroplanë të specializuar për zjarrfikje. BE-ja vendosi të dërgojë në ndihmë të Italisë katër aeroplanë.