Vendosni fjalën kyçe....

Gratë drejt sektorëve jo tradicionalë, strategjia për barazinë gjinore parashikon 27 milionë euro


Një strategji për nxitjen e barazisë gjinore për periudhën 2021-2030 synon ndër të tjera të orientojë gratë dhe vajzat drejt punës në sektorë jo tradicionalë.

Në total strategjia parashikon mbi 27 milionë euro si shpenzime për zbatimin e objektivave që ka që nis nga përmbushja e të drejtave ekonomike tek rritja e aksesit në financë.

Mes disa dhjetëra objektivave ky dokument i qeverisë parashikon edhe zvogëlimin e barrierave që i mbajnë gratë, të rejat dhe vajzat larg tregut të punës, si dhe rritja e aksesit, për punë të denjë edhe në sektorët jo-tradicionalë të punësimit, (në veçanti në shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë.

Strategjia parashikon që të masë efektin e kësaj përmes disa treguesve duke nisur nga përqindja e punëkërkueseve të papuna, të punësuara nëpërmjet ndërmjetësimeve të zyrave të punësimit ndaj totalit të punëkërkuesve të papunë të punësuar nga këto zyra punësimi, në shkallë vendi, disagreguar sipas moshës, grupeve të caktuara. Nga përqindja e grave, të rejave dhe vajzave nga të gjithë grupet, të punësuara në sektorë jo-tradicionalë (prodhim, ndërtim, industri nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizimi me ujë).

Një tjetër tregues do te dake nga numri i vajzave dhe të rejave nga të gjithë grupet, të cilat studiojnë në Biologji, Biokimi, Mjediset natyrore dhe kafshët e egra, Kimi, Fizikë, Matematikë, Përdorim kompjuteri, Databazë dhe dizenjim rrjeti dhe administrim, Zhvillimi i Software-eve dhe aplikacioneve dhe analiza, Inxhinieri kimike dhe proceset, Elektriciteti dhe energjia, Elektronikë dhe automatizim, Mekanikë dhe tregtimi i metaleve, Automjetet motorike, anijet dhe avionët, Minierat dhe nxjerrja, Arkitektura dhe planifikimi i qytetit, Ndërtimi dhe inxhinieria civile, Peshkim, Veterinari, Terapia dhe rehabilitimi dhe Farmaci, në raport me totalin e vajzave që janë studente.

Po kështu nga numri i të punësuarave/punësuarve nga të gjithë grupet, që denoncojnë dhunë apo ngacmim në vendin e punës, disagreguar sipas gjinisë, moshës dhe shumë faktorëve të tjerë individualë, si dhe sipas sektorit të punësimit.

Për të arritur këto tregues strategjia parashikon që të merren disa masa duke nisur së pari nga krijimi i mjedisit lehtësues dhe nxitës për përfshirjen e grave, të rejave dhe vajzave nga të gjithë grupet, në punë të denjë edhe në sektorët jo-tradicionalë, në përputhje dhe me veprimet e parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019 – 2022.

Së dyti nga zbatimi i Konventës C190 të ONP mbi “Eliminimin e dhunës dhe ngacmimit në botën e punës”, pas ratifikimit të saj, si dhe i direktivave përkatëse të BE për barazinë dhe mosdiskriminimin në botën e punës.

Së treti mbulimi më i mirë me shërbime sociale, nëpërmjet Fondit Social, për të lehtësuar integrimin e grave, të rejave dhe vajzave nga të gjithë grupet, në vendin e punës.

Së katërti përmirësimi i aksesit të grave, të rejave dhe vajzave rurale në tregun e punës përmes financimit të ndërmarrjeve sociale./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor