Duket se emri i “Minishengen” nuk solli rezultat në përpjekjet për të realizuar një ndërveprim më të mirë mes shteteve të Ballkanit të cilat nga historia janë quajtur baruti i Evropës.
Imitimi i Shengenit të vendeve të Evropës Perëndimore por i lokalizuar në termin gjeopolitik Ballkani Perëndimor nuk gjeti dakordësine e të gjitha vendeve duke i ndarë përgjysmë në projektin e synuar fillimisht për një lëvizje pa barriera mes 6 vendeve që kanë proceduar për anëtarësim në BE por që PO-ja e shumëpritur dhe procesi po zgjasin pa fund.
Prandaj Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të “presin Godonë” pa fund dhe u angazhuan të tre për të krijuar “Ballkanin e Hapur”.
Në Shkup, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç firmosën 3 akte që synojnë të lehtësojnë lëvizjen në Ballkan të të mirave materiale.
Aktet e nënshkruara
- Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.
- Memorandum mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.
- Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.
Synimet
“Memorandumi i Mirëkuptimit për të lehtësuar importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave në Ballkanin Perëndimor” ka të bëjë me: thjeshtimin e formaliteteve që lidhen me importin, eksportin dhe lëvizjen/transitin e mallrave; bashkëpunimi i doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare; dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale joushqimore.
Ndërsa “Marrëveshja për Bashkëpunimin për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor” përfshin gatishmërinë mes 3 shteteve për ndihmë vullnetare në rast fatkeqësish.
Në të përfshihen: planifikimi dhe zbatimi i masave për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe përmbytjet, tërmetet, zjarret, ndotja e mjedisit, aksidentet në anije, rreziqet radiologjike, pandemitë, si dhe si fatkeqësi industriale dhe fatkeqësi të tjera; raportim reciprok mbi kërcënimet, ndodhitë dhe pasojat e fatkeqësive; edukimi dhe trajnimi i personelit të shërbimit.
Memorandumi i tretë ka të bëjë me lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm.
Tashmë duhet të shihet nëse vendet do arrijnë të materializojnë nxjerrjen e akteve nënligjore që burojnë nga nënshkrimi i marrëveshjeve dhe mundësitë që do i japin njëra tjetrës për të shkëmbyer më lehtë dhe pa barriera kufizuese/ Hashtag.al