Vendosni fjalën kyçe....

Basha paraqitet në gjykatë, paditi për shpifje Veliajn për “4 vilat”


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha paraqitet në gjykatë për të dëshmuar pas padisë për shpifje ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Por mësohet se Veliaj nuk është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Padia për shpifje lidhet me akuzat në vitin 2020 të Veliajt, ku akuzonte rëndë Bashën se ky i fundit ishte bërë me 4 vila gjatë tërmetit. Palët kanë refuzuar pajtimin.

Basha është thirrur nga Gjykata e Posaçme në seancën e parë. Seanca e radhës do të mbahet më 24 shtator.

Në një takim të Partisë Socialiste në njësinë Nr.1 në Tiranë, Veliaj hodhi akuza shumë të forta ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha.

Veliaj akuzoi Bashën se vendos gjoba dhe se ka braktisur protestat duke marrë “diçka në këmbim”. Sipas tij kryedemokrati së fundmi kishte marrë katër vila, në vitin më të vështirë për shqiptarët.

“Kryetari juaj, ai i gjumit, ai që i ngeci sahati sapo u bë me katër vila të reja. Vitin e tërmetit, si ka mundësi? Si ka mundësi vitin që të gjithë shqiptarët o i humbën, o iu dëmtua shtëpia, kryetari i opozitës bëhet me katër vila, me këto gjobat që iu thashë. Gjobë këtij e gjobë atij që t’i mbyllin gojën, një biznesmen thotë po t’i jap çfarë do dhe të bie rehat. I keni vënë re si janë mbyll protestat. U mbyll protesta e rrugës së kombit, ca mori në këmbim, pse heshti? Si u mbyll protesta e Astirit, ca mori në këmbim, pse heshti?

Pse nuk flet për hallet e njerëzve të thjeshtë, por në çdo debat pazarin e vet. Ku jam në listë, ku është koalicioni, sa është përqindja, si do i marr vilat?

Pra në vitin më të vështirë ekonomik, të gjithë të tjerët kanë mbajtur një peshë, të gjithë të tjerët kanë pasur një vuajtje, të gjithë të tjerët janë tkurrur. Si ka mundësi vetëm kunati i vet i ka shku fitimi përpjetë. Nga vijnë këto para, si shtohet dhjetëfish të ardhurat e një familje duke qenë në opozitë. Këta nuk kanë lidhje me hallet e njerëzve. Këta nuk janë përpjekur një ditë për hallet e njerëzve. Këto katër vite kam qenë këtu çdo muaj, e keni parë ka katër vjet. Do të kthehet për vota, por kur të kthehet për vota do të jetë shumë vonë”, deklaroi asokohe Veliaj.