Qyteti i Fierit është pushtuar prej ditësh nga tymi, duke rrezikuar asfiksimin e banorëve. Hashtag.al solli dje fotot flagrante nga qendra e qytetit, që tregojnë se sa e rëndë është situata. Shtëllungat e tymit kanë mbërritur te banorët për shkak të zjarrvënies së plehrave.
Për herë të parë ka reaguar një përfaqësues i Bashkisë së Fierit, drejtori i Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit Arjan Ndreu.
“Kemi marrë masat, Bashkia e Fierit është angazhuar me mjete për shuarjen e zjarrit dhe për të normalizuar situatën. Ne me mjete tona po përpiqemi të menaxhojmë situatën. Po bëjmë mbulimin me dhe të mbetjeve të zjarrit, si e vetmja mundësi për t’i fikur pasi mbetjet gjenerojnë gazra metani që janë të rrezikshëm dhe marrin vetvetiu flakë.
Është e vërtetë që fusha e mbetjeve urbane të qytetit të Fierit ka shpallur emergjencë mjedisore dhe në bazë të korrespondencës me firmën e inceneratorit, ne jemi gati që në fund të gushtit të fillojmë me evadimin e mbetjeve të Fierit te incineratori”, tha ai.