Vendosni fjalën kyçe....

“Flakë për flakë” përgjigje Ramës, Qeveria e Kosovës: Minishengeni nismë pa vizion


Pas thumbimit që kryeministri i Shqipërisë i bëri atij të Kosovës lidhur me minishengenin, reagon “flakë për flakë” qeveria e Kosovës.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Para reagimit zyrtar të saj, anëtari i Kryesisë së Vetvëndosjes Arbër Zaimi bëri një reagim të fortë, duke i veshur Ramës barrën e rëndë të këtij vendimi.

“Ka ca që thonë, Kosova s’po vjen në “minishengen” se Kurti e Rama nuk shkojnë mirë bashkë.

Po Mali i Zi e Bosnja pra? Ka arsye historike e aktuale pse vendet që e njohin mirë Serbinë, nuk pranojnë të futen nën sqetullën e saj.

Edi Rama mban përgjegjësi historike që po bashkëpunon me një lider si Vuçiçi, i cili edhe në vitin 2021 refuzon të nënshkruajë marrëveshje mos-sulmimi me Kosovën. Shpresoj që për takimin Rama-Vuçiç në Shkup, të mos jetë marrë vendimi qysh në takimin Nano-Milosheviç në Kretë.

Dy shtetet shqiptare duhet të jenë në një linjë, siç do vetë populli. Rama nuk mund ta fusë Shqipërinë në një aventurë ballkanike kundër Kosovës!”, shkroi Zaimi.

Nga Shkupi kryeministri Edi Rama ka thumbuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, duke i kërkuar në mënyrë indirekte që të heqë dorë nga “kënaqësia e vuajtjes së tjetrit” dhe vetëm të bashkohen.

Rama ndodhet në Maqedoninë e Veriut në krahë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, teksa është vënë re mungesa e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit. Më pas komunikimi i Ramës u bë më i drejtpërdrejtë, duke u kërkuar “vëllezërve nga Prishtina që të mendojnë për këtë nismë”. Kurti refuzoi të merrte pjesë në forumin e sotëm, duke konfirmuar se minishengeni nuk e kishte miratimin e Kosovës.