Vendosni fjalën kyçe....

Rama thumbon Kurtin nga Shkupi: Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së tjetrit, të bashkohemi, jemi të vegjël


Nga Shkupi kryeministri Edi Rama ka thumbuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, duke i kërkuar në mënyrë indirekte që të heqë dorë nga “kënaqësia e vuajtjes së tjetrit” dhe vetëm të bashkohen.

Rama ndodhet në Maqedoninë e Veriut në krahë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, teksa është vënë re mungesa e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.

“Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së tjetrit. Përse të qëndrojmë brenda hapësirave tona të vogla? Kush mendon për ish-Jugosllavinë jeton në botë paralele”, theksoi mes të tjerash Rama, duke shtuar në Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal se nuk kanë luksin të humbasin kohë sepse “nuk kemi parë se çfarë fitojmë nga bashkëpunimi, por kemi parë se sa keq heq tjetri nga konflikti”.

Rama theksoi se vendet e rajonit janë shumë të vogla duke qëndruar të ndara, ndaj duhet bashkim duke ndjekur dhe 4 liritë themelore të BE-së.

Rama iu përgjigj edhe kritikëve të shengenit ballkanik, duke thënë se nuk mund të bëhen karikaturë e BE-së.

Kurse presidenti serb tha se do të punojnë për ekonomitë e tyre. “Nuk mendojmë se të tjerët punojnë për ne, do të punojmë për ekonomitë tona. Bashkëpunimi sjell mundësi të pafundme për vendet tona.”, u shpreh Vuçiç.

“Nuk kemi pse të presim që integrimin e rajonit nga pikëpamja e të katër lirive të Europës ta bëjmë pasi të kemi hyrë në BE. Ne duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë tani. Do ta bëjmë tani! Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është një nismë ekskluzive e Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është një nismë e hapur për të gjithë?! Sa herë duhet ta përsërisim që cilido që dëshiron të na bashkohet mund të bashkohet. Por ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë. Këtë s’mund ta presim sepse ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE këtu, që çohet njëri dhe thotë unë vë veton ju s’duhet të takoheni, ose çohet tjetri vë veton: ju nuk duhet të nënshkruani këtë apo atë. Këtë nuk e bëjmë dot. Ne nuk kemi luksin që të humbasim kohë se kemi humbur shumë, kemi humbur shekuj.”, i dha mesazhin e qartë Kurtit, Rama.

Rama vazhdoi më tej duke ashpërsuar tonin: “Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se është e madhe dhe për t’i dhënë gjithçka kemi, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi edhe që BE është një Jugosllavi e Madhe… Po në fakt jo, kjo është as më shumë e as më pak po krijimi i një hapësire që jeton me parimet, me vlerat dhe mekanizmat e BE, në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjet e tij për t’u integruar në BE”.

Më pas komunikimi i Ramës u bë më i drejtpërdrejtë, duke u kërkuar “vëllezërve nga Prishtina që të mendojnë për këtë nismë”.

Kurti refuzoi të merrte pjesë në forumin e sotëm, duke konfirmuar se minishengeni nuk e kishte miratimin e Kosovës.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, iu përgjigj zyra e kryeministrit pyetjes së “Euronews Albania”.