Dy nga autorët e dyshuar për vrasjen e ndodhur në fshatin Garunjas të Lushnjës ditën e sotme janë arrestuar nga policia.
Shtetasit Marjus Hasalla 20 vjeç dhe Afrim Hasalla 42-vjeç u arrestuan pas kërkimeve të policisë që vijuan gjatë gjithë ditës që prej ndodhjes së saj.
Mëngjesin e sotëm pas një konflikti që dyshohet për motive pronësie u vra Romeo Hasalla 30-vjeç.
Viktima dhe autorët ishin të afërm me njëri tjetrin.
Në kërkim vijon të qëndrojë shtetasi tjetër me iniciale K.H.
Njoftimi i policisë:
Kapen dhe vihen në pranga dy nga autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Garunjas të Lushnjës.
Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit tjetër të shpalluar në kërkim.
Strukturat hetimore të DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.