Vendosni fjalën kyçe....

Kim e prerë me Bashën për Berishën: Do ishte ironike nëse partia do të duhet të “hante bar” për hatër të një deputeti!


“Do të ishte një histori ironike nëse partia do të duhet të hante bar për hatër të një deputeti të saj!”, tha Yuri Kim pas takimit me Bashën duke shënjestruar indirekt Berishën.

“Është mirë që PD-ja të kthehet në shtator në Kuvend”, ka qenë mesazhi tjetër i ambasadores Kim përballë gazetarëve, duke shtuar që në Kuvend të ketë deputetë që e meritojnë përfaqësimin.

Ky takim vjen pas disa zhvillimesh të forta lidhur me shpalljen nongrata të ish-liderit të PD-së Sali Berisha dhe me zhvillimet e reja që priten në shtator me nisjen e parlamentit të ri.

Nuk dihet se cili ka qenë mesazhi përballë që ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka kërkuar kryedemokratit Basha për distancimin nga Berisha por gjuha e përdorur përballë gazetarëve ishte simbolike.

Basha i ka cilësuar zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit të vjedhura dhe manipuluara, ndërsa së fundmi ka sjellë si argument edhe konkluzionet e raportit të OSBE-ODIHR-it për këto zgjedhje.

Në kongresin e PD-së, pas shpalljes nongrata, Basha dhe Berisha u panë të takonin njëri-tjetrin.

Mesazhi i plotë i ambasadores amerikane kundër futjes së Berishës në parlament:

“Pata një diskutim shumë të mirë me kryetarin e PD z.Lulzim Basha sot, ishte në vijim të takimit që kemi pasur kur ndihmëssekretari i Shtetit Philip T. Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA dhe rolin e rëndësishëm që PD-ja ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe për rëndësinë që Shqipëria të qëndrojë në shtegun e saj për në BE. Është për t’u theksuar fakti që roli i PD është i pazëvendësueshëm dhe që PD-ja do të kthehet në Kuvend në shtator.

Kuptojmë që partia dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit por dimë që gjithashtu këto shqetësime janë pasqyruar në raportin e OSBE-ODIHR.

Gjithashtu do të jetë e rëndësishme dhe e domosdoshme që kjo gjë të bëhet në mënyrë domethënëse dhe SHBA-të do vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për demokracinë në Shqipëri.

Ndërsa PD-ja do të rikthehet në kuvend është e rëndësishme që PS-ja të mund të ngrihet mbi interesat e saj partiake. Dua të nënvizoj dhe njëherë përgjegjësinë që ndërsa krerët e partive do të futen në kuvend, është e rëndësishme të mund të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e Shqipërisë. E rëndësishme që PD-ja të mendojë për këto çështje.

Siç e përmenda më parë, PD-ja ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, nëse partia do të “hante bar” për hir të interesave personale të një njeriu.

Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë të shkojë përpara. Për këtë arsye ka vendime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”