Vendosni fjalën kyçe....

KLSH-ja kontroll te strukturat që po menaxhojnë shuarjen e zjarreve, në fokus dhe Fieri


KLSH-ja nis kontrollin te strukturat që po menaxhojnë shuarjen e zjarreve, në Vlorë dhe Fier ku situata është më e rëndë.

“Lidhur me zjarret e ditëve të fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit me urdhër të kryetarit Arben Shehu ka nisur një kontroll mbi të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit. Inspektorët e KLSH kanë zbritur në të gjitha qytetet problematike përfshirë Vlorën dhe Fierin ku situata paraqitet më e rëndë.”, njofton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur që nga përdorimi i paisjeve si dhe anën organizative. Po kështu do të verifikohen tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

“Nëse do të hasen shkelje përgjatë kësaj situate, do të ketë referime përkatëse në prokurori. Aktualisht sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në pika të ndryshme ndërsa më problematike paraqitet situata në Karaburun ku zjarri po i afrohet parkut të Llogarasë si dhe vendhedhja e mbeturinave në Fier.”, përfundon detajimin e kontrollit KLSH-ja.