Biznesi në gjysmën e parë të këtij viti ka marrë më pak kredi nga sektori bankar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2021 kredia e re për biznesin kishte vlerën e 68.5 miliardë lekëve, në rënie me afërsisht 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse ekonomia këtë vit po shfaq një performancë të përmirësuar, kreditimi i sipërmarrjes ende nuk ka arritur nivelet e vitit të kaluar.
Ndër sektorët me peshë domethënëse në kreditim përjashtim po bën kryesisht ndërtimi. Statistikat tregojnë se kredia e re për sektorin e ndërtimit në pothuajse 14 miliardë lekë, në rritje me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 6-mujorin 2020, kredia e re për ndërtimin përbënte 20.3% të kredisë së re dhënë për kompanitë private, duke arritur peshën më të lartë në të paktën pesë vitet e fundit.
Tregu i pasurive të paluajtshme po përjeton një cikël të ri të rritjes. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3%. Veç burimeve të tjera, kërkesa në tregun e pronave po mbështetet shumë edhe nga kredia bankare, që këtë vit ka arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Në fund të pesëmujorit 2021, kredia e re për blerjen e pronave nga individët arriti në 14.3 miliardë lekë, 76% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ringritja e tregut të pronave dhe rritja e çmimeve po inkurajon jo vetëm sipërmarrësit, por po nxit edhe më shumë bankat t’i mbështesin këto projekte. Megjithëse një pjesë shumë e madhe e investimeve në ndërtim po financohet me burime të tjera, duket se edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve, ashtu edhe në blerjen e tyre nga familjet shqiptare.
Një tjetër sektor që ka shënuar rritje të ndjeshme të kreditimit këtë vit është Informacioni dhe Komunikimi. Kredia e re për këtë sektor arriti në 2.2 miliardë lekë, tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është ndikuar sidomos nga një kredi e vetme, që aksionerët e operatorit të telefonisë celulare One Telecommunications morën nga Banka OTP Albania. Konsorciumi holding ATI rifinancoi 3.7 miliardë lekë kredi që kishte marrë prej bankës bullgare Fibank te tre banka të grupit hungarez OTP. Nga këto, 1.3 miliardë lekë u financuan nga Banka OTP Albania, ndërsa pjesa e mbetur nga Banka OTP Hungari dhe Banka DSK Bullgari.
Kredidhënia për shumicën e sektorëve të tjerë të ekonomisë paraqitet në rënie të dukshme. Sektori me peshën më të madhe në kreditim, tregtia, për 6-mujorin 2021 ka pësuar një rënie të kredisë së re me 14.4% krahasuar me një vit më parë, me një vlerë totale huaje prej 23.6 miliardë lekësh.
Kredia e re paraqitet në rënie edhe për industrinë, si në degën përpunuese, ashtu edhe në atë nxjerrëse. Kredia e re për industrinë përpunuese gjatë 6-mujorit 2021 kishte vlerën e 8.6 miliardë lekëve, 2.6% më pak krahasuar me një vit më parë. Për industrinë nxjerrëse rënia ishte më e ndjeshme, me 24% më pak.
Një sektor që në deri vitin e kaluar kishte shfaqur rritje me ritme të shpejta ishte energjetika, kryesisht në degën e investimeve private dhe koncesionare në hidroenergji. Por, këtë vit, kreditimi i këtij sektori ka pësuar një rënie të fortë, me 72% më pak krahasuar me 6-mujorin 2020. /E.Shehu
Ky shkrim eshte pronesi intelektuale e “Monitor”.