Kryebashkiaku Erion Veliaj mendon për qytetarët e Tiranës. Sikur të mos ishte ai në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, qytetarët nuk do mundnin të freskoheshin në portat e mrekullueshme të vendosura nëpër rrugë strategjike të qytetit prej pak ditësh.
Ai ka menduar që ne si qytetarë të kemi një mundësi të artë për të kaluar vapën e madhe që po bën në vend, parashikuar edhe nga sinoptikanët.
Veliaj duhet falenderuar dhe duartrokitur fort që mendon vetëm për ne, natë e ditë.
Ai ia doli që të krijojë këto porta, që në momentin që nxjerrin ujin pikë-pikë që bie mbi lëkurën e nxehtë të kryeqytetasve, tiranasit të ndjehen të lirë.
Të gjitha këto duhen bërë por…kur mendon sikur Tirana mos kishte këta përbindësha- kulla mbi kokë, sikur të kishte ujë 24 orë, sikur urbanët të kishin ventilim, sikur të kishim 5-6 parqe më shumë, sikur të kishim çezma publike, sikur rrugët mos bllokoheshin me makina etj etj., Veliaj do qe i barabartë me homologët e tij në Europë, një kryebashkiak normal e që nuk do kishte nevojë për duartrokitjet më lart.
Por jo. Veliaj është ndryshe. Ai gjen zgjidhje të jashtëzakonshme në situatën e jashtëzakonshme që ka krijuar vetë. Prej vitesh.