Deklarata e ambasadores amerikanë në Tiranë Yuri Kim ka shkaktuar debate të brendshme brenda PD-së me qëndrimin që duhet të mbajë mbi Berishën pas shpalljes non grata.
Fatbardh Kadilli është përplasur me Tritan Shehun në distancë mbi këtë çështje.
Fatbardh Kadilli deklaroi ditën e sotme se lidershipit të PD-së i mungon qartësia për të krijuar një opozitë të re larg lidershipit të vjetër.
“Çështja është shumë komplekse, përfshin emocione, qëndrime politike. Ajo çfarë i ka munguar PD është mungesa e qartësisë së lidershipit për të krijuar një opozitë të re larg lidershipit të vjetër.
Të kemi një opozitë të re ndaj çdo trashëgimi që na mban peng. Është një situatë aspak e këndshme për çdo demokrat apo shqiptar. Asnjë demokrat nuk ndihet mirë për shpalljen non-grata të Berishës. Duhet të kishim qartësi.
Të arrijmë në pikën që të vijë në formë presioni kërkesa dhe mos ketë kurajo lideri i sotëm dhe të bëjë sikur çështja nuk ekziston, është e turpshme. Do të jetë e turpshme të bëjë gjeste sakrifikimi për karrigen e tij”-deklaroi Kadilli në News 24.
Ndërsa Tritan Shehu reagoi në rrjetet sociale duke e quajtur deklaratën e Kadillit një turp dhe provokim.
Shehu thotë se si në lidershipin e Berishës dhe në atë të Bashës respekti për Amerikën ka qenë i pakufizuar.
“Po lexoj në media që Kadilli duke sulmuar dhe Bashën paska thënë: Mbështetësit fanatikë të Berishës janë kthyer në antiamerikanë!
Sikur të kishte zbuluar talebanët në PD flet ky Kadilli! Dhe pastaj ëndërron të behet dhe kryetar i PD!
Turp i vërtetë ky. Kjo është vetëm një gënjeshtër monstruoze dhe një provokim i ulet.
Dashuria e respekti i pa kufishëm për ShBA ka qenë në themel të PD, që në lindje të saj…e vazhdon të jetë në të gjitha nivelet e kësaj partie, edhe pavarësisht debateve tona të brendeshme.
Dhe promotori i këtij parimi të madh ka qenë pa ndërprerje pikërisht Berisha vetë. E tille vazhdon PD edhe sot me kryetar Bashën”-shkruan Shehu.