Marc Ghorayeb këshilltari jo rezident i kryeministrit Edi Rama në Lindjen e Mesme në një intervistë për Top Channel në Liban pohoi se ka edhe gra shqiptare që nuk duan të ikin nga kampi ku po qëndrojnë në Siri të gjithë mbështetësit e ISIS dhe familjarët e tyre.
Ghorayeb thotë se Eva Dumanit motra e Endrit i cili u nxorr nga kampi dhe u kthye në tetor të vitit në Shqipëri nuk pranon të kthehet dhe deklaron sipas atij se i pëlqen qëndrimi në kamp.
Prononcimi i plotë i Ghorayeb për Top Channel:
Askush nuk mund të duartrokasë i vetëm për këtë. Unë kam koordinuar duke pasur mbështetjen e kryeministrit Rama çdo ditë sikurse atë të ministrit Bledi Çuçi i cili ka shpenzuar shumë kohë për këtë dhe kishte besim tek unë. Qeveria Shqiptare, kryeministri Edi Rama dhe ministri Çuçi kanë një ndihmë të jashtëzakonshme për tu koordinuar që kjo të ndodhë në marrjen e këtyre fëmijëve dhe grave. Ky është operacioni ynë i tretë. I pari dhe i dyti ishin të vështirë por ky i treti akoma më i vështirë.
Vështirësia më e madhe ka të bëjë me anën logjistike e më konkretisht transportin kjo si pasojë e konfliktit të brendshëm në territorin sirian. Në një situatë të tillë ju duhet të gjeni balancën dhe për këtë është kujdesur gjenerali Abas Ibrahimi cili ishte balancuesi dhe arsyetuesi i këtij rasti. Është operacioni më i vështirë dhe nga ana tjetër më i forti ndërmarrë deri më tani. Është e vështirë”, tha Ghorayeb.
“Unë dua tu them familjeve të atyre që nuk janë nxjerrë ende nga kampet e Sirisë se unë jam këtu për ti ndihmuar. E vlerësoj gadishmërinë e tyre për të pranuar të afërmit që zgjodhën të luftojnë e jetojnë në shtetin e ISIS. Shumica e atyre që kemi takuar në kamp ishin të kënaqur me situatën ku janë dhe nuk duan të kthehen në Shqipëri. E them ndershmërisht. Nuk duan të kthehen. Një nga ata është edhe Eva Dumani. Dua ti them dajës së saj, se më vjen keq pasi ju premtova ta sjell siç bëra me Endrin që ishte e vështirë. Por shumë shpejt do të tregoj komunikimet që ne kemi pasur me Evën e cila ka bllokuar gjithmonë përpjekjet tona duke ma thënë se është mirë atje ku është dhe nuk do të kthehet. Më vjen keq ta them por ne po shpëtojmë shumë gra dhe fëmijë që duan të kthehen. Ne do të kemi një operacion të katërt dhe do të përpiqemi përsëri ta marrim edhe Evën. Unë shpresoj shumë.