Vetëdorëzohet në polici njëri prej kushërinjve të fisit Hasalla në Lushnje. Kastriot Hasalla, ka shkuar sot në komisariat, ndërsa akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla dhe plagosjen e babait të të ndjerit dhe dy vëllezërve të tjerë.
Lushnja u zgjua para dy ditësh me bilanc tragjik, ku mbeti 1 i vrarë dhe 3 të plagosur pas konfliktit për tokën. Ngjarja ndodhi në fshatin Garunjas të Lushnjes. Viktima dhe autori i dyshuar ishin kushërinj me njëri-tjetrin.
I vdekur mbeti Romeo Hasalla 30 vjeç. Me plagë kanë mbetur babai i viktimës Shuaip Hasalla si dhe dy vëllezërit Emiljano dhe Laert Hasalla. Në kërkim u shpall Kastriot dhe Afrim Hasalla, vëllezër.
“Sot rreth orës 06:30, në fshatin Garunjas, njësia administrative Bllagat, Lushnje, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes kushërinjve të parë, kanë mbetur të plagosur me armë gjahu shtetasit Sh. H., 65 vjeç (babai) L. H dhe E. H, 31 vjeç (vëllezër) si edhe ka ndërruar jetë shtetasi R. H, 30 vjeç(vëllai tjetër).
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë shpallur në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. H dhe K. H., 33 vjeç (vëllezër), ku vijon puna intensive për kapjen e tyre.”, njoftonte policia.