Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj komenton kalimin në pronësi të tij të truallit të Teatrit: Reflektuam pas vendimit të Kushtetueses


Erion Veliaj komenton kalimin në pronësi të tij të truallit të Teatrit Kombëtar nga kryeministri Edi Rama, duke e quajtur një reflektim pas vendimit të Kushtetueses.

“Tani që nuk ekziston Teatri jepet në pronësi trualli. Reflektuam pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendet e zhvilluara s’i pengojnë projektet e mëdha.”, tha Veliaj për “Neës24” nga Tokio ku po ndjek nga afër Lojërat Olimpike me ekipin shqiptar.

Veliaj e ka interpretuar ditë më parë në të kundërt të interpretimit që i bënë aktivistët për mbrojtjen e teatrit, vendimin e Kushtetueses.

Rama vendosi dje që toka e Teatrit Kombëtar t’i kalojë Bashkisë së Tiranës. Vendimi është firmosur nga Erion Braçe me porosi të Edi Ramës.

Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj 2020. Ditë më parë, për shkak se më parë nuk kishte numrin e duhur për të gjykuar teatrin, Gjykata Kushtetuese doli me një vendim.

Në vendimin e pjesshëm të para pak ditëve, Kushtetuesja shfuqizoi Ligjin Special për Teatrin Kombëtar, pezulloi ndërtimin e godinës së re po la në fuqi shembjen e godinës. Gjithashtu ajo rrëzoi vendimin e qeverisë për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të bashkisë së Tiranës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, në vendimin e plotë të zbardhur thuhet se ky ligj cenon lirinë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare, duke shkelur nenet 3, 11 dhe 17 të Kushtetutës.