Nga Deada Hyka
Netflix, Amazon Prime, Disney Plus. Kanë kaluar shumë kohë kur na u desh të blinim një DVD për të parë një film apo të shkonim në kinema. Në ditët e sotme, në sajë të internetit dhe zhvillimit të shërbimeve streaming, kemi një pafundësi zgjedhjesh të shfaqjeve televizive, filmave dhe dokumentarëve, nga divani i shtëpisë sonë. Por, cila është e ardhmja e kinemasë në mes të këtij zhvillimi? Me aksesin e lehtë në shërbimet e transmetimit, pa pasur nevojë të largohemi nga shtëpia dhe pandeminë, si do të mbijetojnë kinematë?
Që nga vitet 1990, kinematë u bënë gjithnjë e më shumë popullore, falë teknologjive të reja si efektet speciale. Sidoqoftë, në vitet 2000, një fenomen i ri mbërriti me zhvillimin e internetit: transmetimi (streaming). Në të vërtetë, me zhvillimin e internetit, u bë më e lehtë qasja në filma falas nëpërmjet transmetimit. Shërbimet e transmetimit u bënë shpejt një armik i kinemave, të cilat u përpoqën të gjenin një mënyrë për t’u rinovuar, për t’u përballur me konkurrencën dhe me mënyrën sesi shërbimet e transmetimit arritën të tejkalonin ekranin e madh.
Në më pak se dhjetë vjet, shërbimet e transmetimit janë rritur në mënyrë dramatike, duke u bërë një kërcënim real për kinemanë. Shembulli konkret është Netflix, me një çmim mesatar prej 10 dollarësh në muaj, globalisht, për mijëra filma, shfaqje televizive ose dokumentarë. Në këtë mënyrë, bëhet më interesante për njerëzit të abonohen në Netflix, sesa të shkojnë në kinema çdo javë ose muaj. Për më tepër, me Netflix Originals, shërbimet e transmetimit nxitën konkurrencën me kinematë, duke prodhuar filmat e tyre.
Por a është Netflix konkurrent i drejtpërdrejtë i kinemasë, apo kjo e fundit ka diçka më tepër? Në vitin 2020, përveç transmetimit në internet, kinematë u përballën me një sfidë të re, pandeminë. Në fakt, në mars 2020, përballë rasteve në rritje dhe përhapjes së virusit, qeveria shqiptare mbylli kinematë (sikurse ndodhi në gjithë botën). Altin Elezaj, menaxher i “Kinema Millenium”, thotë për “Monitor” se padyshim që ndikimi te kinematë ka qenë i madh, shitjet e biletave ranë, si dhe të ardhurat u tkurrën me 70% në vitin 2020.
Pandemia
Pandemia COVID-19 krijoi një përmbysje të madhe në industrinë e argëtimit. Shumica e teatrove, sallave të koncerteve dhe kinemave u mbyllën për të paktën një vit dhe prodhimi i filmave apo serialeve u ndalua për muaj me radhë, duke detyruar qindra mijë të largohen nga puna dhe me shuma të mëdha parash të humbura në gjithë botën.
Jo vetëm që u prekën ata që punojnë drejtpërdrejt në prodhim, por edhe njerëzit që mbështesin industrinë, si furnizuesit e ushqimit, luleshitësit, kompanitë e transportit, veshjeve, grimit etj.
“Qëndro në shtëpi” është ajo që kemi dëgjuar për më shumë se një vit. Në fakt, në vitin 2020, për shkak të disa bllokimeve, sasia mesatare e kohës që njerëzit kalonin duke parë përmbajtje audiovizive raportohet të jetë rritur në gjithë botën më shumë se një orë e gjysmë se koha mesatare në 2019. Një nga përfituesit kryesorë të kësaj krize ka qenë Netflix. Në vitin 2020, numri i përdoruesve të Netflix arriti më shumë se 200 milionë përdorues në botë. Për Shqipërinë nuk ka shifra të raportuara, por thuajse të gjithë të rinjtë në kryeqytet kanë një abonim në Netflix.
Me rritjen e vaksinimeve dhe lehtësimin e kufizimeve të COVID, sallat e kinemasë ngadalë po kthehen në vëmendje. Por ka ende sfida me të cilat përballen kinematë, shumë prej të cilave po dalin në prag të shkatërrimit financiar pas dymbëdhjetë muajsh pa shitje të biletave. A munden kinematë të kthehen më të fuqishme se më parë apo koronavirusi do të rrisë përdorimin e Netflix dhe platforma të tjera?
Sipas përfaqësuesve të marketingut të “Cineplexx Albania”, industria e kinematografisë ishte një ndër më të prekurat nga pandemia.
“Një prej bizneseve që u mbyll i pari, u hap i fundit dhe ende vazhdon të ketë kufizime, si distancimi i ulëseve në sallë dhe shfaqja e fundit në orën 20:30, duke çuar në reduktim të kapacitetit. Megjithatë, modeli multiplex i ‘Cineplexx’, pavarësisht kufizimeve, mundëson një numër të konsiderueshëm shfaqjesh në ditë, rreth 25 shfaqje në Cineplexx TEG dhe rreth 15 shfaqje në Cineplexx QTU, duke përmbushur çdo kërkesë të klientëve dhe vizitorëve tanë”, – thotë për “Monitor”, Eri Mane, menaxhere e marketingut.
“Nuk mund të mos përmendim se pandemia pati efekt negativ të drejtpërdrejtë në ndalimin e prodhimit të filmave dhe shtyrjen për të disatën herë të datave të publikimit të tyre. E megjithatë, fatmirësisht situata duket drejt normalizimit, me lehtësimin e masave kudo në rajon dhe hapjen e njëpasnjëshme të kinemave, duke krijuar besimin te shtëpitë prodhuese për publikim e filmave në treg” – thotë znj. Mane.
Problematikat e tregut
Tregu shqiptar i kinemasë konsiderohet i vogël nga ekspertët e fushës, duke marrë në konsideratë popullsinë tonë, grupmoshën që përbën audiencën kryesore të kinemasë, si dhe përqendrimin e sallave vetëm në kryeqytet.
Problematika tjetër për operatorët është konkurrenca dhe këtë e pohojnë duke vënë në peshore avantazhet e konkurrentit dhe mangësitë e tyre. Meqenëse torta po ndahet në shumë pjesë tani, shitjet kanë rënë edhe për arsye ekonomike. Administratori i rrjetit të kinemave “Imperial”, Gjergj Gjoshe, shprehet për “Monitor” se pandemia ishte “qershia” mbi tortë e problematikave që kanë ndjekur kinematë “Imperial”, ndaj u detyruan ta mbyllin.
“Me kalimin e viteve, rënia e shitjeve në kinematë tona dhe mbyllja e njëpasnjëshme vjen për shkak të situatës ekonomike të vendit dhe pamundësisë ekonomike të të rinjve që të shohin filma”, – thotë z. Gjoshe.
Menaxheri i kinemasë “Millennium”, Altin Elezaj, pohon se problematika më e madhe me të cilën po përballen dy vitet e fundit ishte ndikimi i tërmetit dhe pastaj, pandemia. Fillimisht, sipas tij, tërmeti i nëntorit 2019 pati ndikim të madh në rënie të shikueshmërisë në premierat më të suksesshme që pati fundi i vitit. Më pas, pandemia pati ndikim të jashtëzakonshëm, në rënien drastike të frekuentimit, edhe pas hapjes së kinemave.
“Arsye tjetër është pamundësia financiare për të hapur salla të reja, që të jenë konkurruese me operatorët e tjerë, të cilët kanë më shumë se sa dy të tilla. Kjo gjë na penalizon shumë, pasi nuk kemi mundësinë që të rishfaqim filma të vjetër (jo premierë) dhe të gjenerojmë më shumë vizita”, – thotë z. Elezaj.
Përfaqësues të kinema “Cineplexx” pohojnë se vështirësia më e madhe në nisjen e operimit në vend ka qenë ndryshimi i mentalitetit të shqiptarëve për kinemanë, si dhe largësia nga qendra por, tani, e konsiderojnë si avantazh.
Eri Mane, nga “Cineplexx Albania”, pohon se edhe çmimet më të larta se sa konkurrentët kanë qenë në fillim vështirësi, por kjo u kapërcye me kohën dhe me dinamikën e fushatave të marketingut që ndërmarrin.
“Aktiviteti i kinemasë që në nisje të operimit në tregun shqiptar nuk ka qenë i njëjti, por megjithatë duhet thënë se kinemaja në një qendër tregtare u përqafua shpejt nga kinemadashësit. Pas hapjes së ‘Cineplexx TEG’ në vitin 2013 dhe pas suksesit ndër vite, rrjeti i kinemave austriake u zgjerua për një tjetër target-grup në vitin 2018 me hapjen e kinemasë së dytë ‘Cineplexx QTU’. E aksesueshme nga të dyja hyrjet e qytetit, tashmë kinemaja është një ndër alternativat kryesore të argëtimit dhe pjesë e aktiviteteve kulturore në qytet, si një kinema e modelit multiplex me 7 salla në TEG, me kapacitet prej afërsisht 1000 vendesh dhe 4 salla në QTU me kapacitet rreth 600 vende”, – thotë znj. Mane.
Sa i përket ecurisë në vijim, këtë vit, ajo shton se lehtësimi i masave dhe vaksinimi i popullatës ka qenë ogur i mirë për industrinë.
“Me vaksinimin e shtuar të popullsisë, e si rrjedhojë lehtësimin e masave kemi besim se kinemaja do të rikthehet në pozicionin e mëparshëm: një ndër alternativat kryesore të argëtimit në kohën e lirë, për të gjithë përvojën që ofron shikimi i një filmi në ekranin e madh të kinemasë, në teknologjinë më të fundit të imazhit dhe zërit, në ‘Cineplexx’.
Gjithashtu, me nisjen e transmetimit të filmit ‘F9: The Fast Saga’, lista e filmave që priten së shpejti është premtuese. Dhe pse gjatë sezonit veror, ‘Cineplexx’ do të ofrojë një alternativë të ‘freskët’ argëtimi me tituj të mirë këtë verë. Duke nisur nga filmat për fëmijë ‘Peter Rabbit 2: The Runaway’, “’Hotel Transylvania: Transformania’, duke vazhduar me ‘Space Jam: A NewLegacy’, ‘BlackWidow’, ‘The SuicideSquad’, ‘Venom: Let There Be Carnage’ dhe ‘No Time to Die’ jemi shumë entuziastë se muajt në vijim do t’i afrohen kurbës që lamë në muajt e parë të vitit 2020” – thotë znj. Mane.
Sa kinema?
Mungesa e kinemave në pjesën më të madhe të vendit dhe përqendrimi i tyre në Tiranë mund të shihet njëkohësisht si shkak dhe pasojë e nivelit të ulët të frekuentimit të kinemave në rrethe të tjera. Por, me hapjen e sallave të reja të “Cineplexx” në Qendrën Tregtare Univers, është rritur frekuentimi edhe nga rrethe si Durrësi dhe Shijaku, që janë më afër.
Nga ana tjetër, vlerësohet se hapja e sallave të reja nxit njerëzit t’i frekuentojnë ato, në fillim nga kureshtja, e më tej për t’u argëtuar nëse filmat do të japin efektin e pritur.
Në Tiranë, pas mbylljes së kinemasë së fundit të rrjetit “Imperial”, janë 12 salla kinemaje me kapacitet rreth 1500 persona, nga dy operatorët e mbetur në treg, ku 11 salla janë të “Cineplexx”. Në shumicën e rasteve, frekuentimi arrin nivele të kënaqshme në filma të caktuar, ku edhe marketingu luan rol kryesor.
Megjithatë, operatorët thonë se shqiptarët nuk e kanë kulturën që të shkojnë në kinema për të parë një film dhe janë shumë të paktë klientët që rikthehen. Për ta, kjo lidhet me mungesën ekonomike (sidomos rrethet), ndërsa te të rinjtë shqiptarë ndikon edhe shikimi i filmave te website piratë, sidomos kur filmat janë edhe të përkthyer në shqip. Por, edhe tendenca e sotme e platformave si Netflix, e cila kundrejt një kostoje minimale mujore (rreth 10 dollarë) ofron një gamë të gjerë filmash dhe serialesh, sikurse marketojnë ata: “nga rehatia e shtëpisë”. Megjithatë, operatorët pohojnë se “magjia e ekranit të madh” është diçka tjetër, me një përvojë ndryshe.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Monitor”.