Shpëtim Nazarko ka komentuar në shkrimin e tij për “Konica.al” minishengenin ballkanik.
Analisti mendon se duhet lënë mënjanë patriotizmi fals dhe duhen dëgjuar ata që sipas tij kanë “laps dhe penë”.
“Në thelb, po të flitej për këtë lloj pushtimi, së pari Shqipëria dhe Kosova, duhet të quheshin të pushtuar prej kohësh nga Serbia e sotme. Rruga e Kombit duket se u shërbeu në pikëpamje tregtare më shumë serbëve sesa kosovarëve. Mallrat e tyre vërshuan në supermaketet tona pas atyre të Kosovës. Çfarë është e drejta, e ka të mbushur tregun ca më shumë se ne me mallra të tilla. Thuhet se importi i Kosovës me Serbinë është rreth 400 milionë në vit. Mbase më pak, mbase më shumë”, shkruan Nazarko,
Në mbrojtje të minishengenit, Nazarko shkruan se edhe pse duhet hequr dorë nga ky patriotizëm fals, Shqipërisë dhe Kosovës do t’i duhet kohë për ta bërë një gjë të tillë.
“Natyrisht që Shqipëria dhe Kosova, duan kohë të shpëtojnë nga patriotizmi fals. Ndoshta është më mirë se tu mburren militantëve të tyre në podiume, politikanët e dy vendeve duhet t’iu drejtohen Mitrushëve të tyre, që në fakt nuk janë shumë për të mos thënë kanë humbur fare sot dhe t’i pyesin si i bëhet në këto situata.
Lëreni atë patriotizmin fallso dhe drejtohuni atyre që kanë lapsa e penë nëpër duar. Ndryshe do të jeni të pushtuar pa e ditur fare se jeni të pushtuar, megjithëse i mallkoni nga mëngjesi në darkë pushtuesit tuaj. Apo ndryshe do t’i ngjani Enverit, që tërë ditën broçkulliste kundër Jugosllavisë duke mallëngjyer militantët torollakë dhe tërë natën bënte tregti me të.”, përfundon analisti Shpëtim Nazarko.