Vendosni fjalën kyçe....

Vazhdon evakuuimi i turistëve në Turqi, video kur banorët largohen me nxitim nga flakët


 

Turistët vazhdojnë të evakuohen nga plazhet në Turqinë jug-perëndimore, ku zjarret e tërbuara tani po kërcënojnë hotelet dhe shtëpitë.

Anijet e rojeve bregdetare turke, të ndihmuara nga anije dhe jahte private u vendosën për të sjellë pushuesit në vendeve të sigurta, sipas mediave lokale.

Në qytetin e Bodrumit, thuhet se u hoqën turistë nga tre hotele me pesë yje, raporton “BBC”.

 

Zjarret, të cilët kanë nisur që nga e mërkura, kanë lënë 6 persona të vdekur.

Dy vdekje të tjera u konfirmuan të shtunën. Ata ishin në mesin e mijëra njerëzve që kanë luftuar me pothuajse 100 zjarre të veçanta në vendpushimet dhe fshatrat në brigjet e Mesdhetare dhe të Egjeut të Turqisë, një rajon i madh turistik.

Zyrtarët thonë se të gjithë, përveç 10 zjarreve tani janë vënë nën kontroll.

Mediat lokale kanë ndarë gjithashtu pamje dramatike që tregojnë njerëzit me sendet e tyre duke ikur nga zona, ndërsa një zjarr po i afrohej me shpejtësi qytetit nga një mal i pyllëzuar. Është e paqartë saktësisht se kur është filmuar.

Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse disa nga zjarret janë shkaktuar me qëllim, mes raportimeve se një zjarrvënës i dyshuar është ndaluar.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan të shtunën vizitoi qytetin Manavgat, ku u konfirmuan pesë vdekje të lidhura me zjarrin.

Erdogan u zotua se qeveria do të bëjë gjithçka për të ndihmuar qindra njerëz të prekur nga fatkeqësia për të rindërtuar jetën e tyre.

Presidenti është kritikuar rëndë për mungesën e avionëve zjarrfikës në vend. Por ai tha se “arsyeja kryesore për këto çështje me aeroplanët është se Shoqata Aeronautike Turke nuk ka qenë në gjendje të përditësojë flotën dhe teknologjinë e saj”. Ai shtoi se më shumë avionë nga Azerbajxhani, Irani, Rusia dhe Ukraina tani ishin përfshirë në operacionin masiv të shuarjes së zjarrit.