Vendosni fjalën kyçe....

Hajdutët vjedhin shtëpinë e kreut të SPAK në Lalëz


Shtatë shtëpi, mes të cilave ajo e kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Arben Kraja, janë vjedhur mbrëmjen e djeshme në Gjirin e Lalëzit, teksa rrethanat ende nuk janë bërë të ditura.

Burime të sigurta pranë Albanian Post, bëjnë me dije se në shtatë shtëpitë ka pasur prani policore për të zbardhur vjedhjen, me shtim të vazhdueshëm të pranisë që prej njoftimit të parë. Nuk dihet ndërkaq nëse shtëpia e Krajës është bastisur qëllimisht apo ka qenë thjesht rastësi.

Policia e Durrësit gjithsesi, ende nuk e ka konfirmuar ngjarjen.

Një prej pronarëve të shtëpive, grabitësit i kanë vjedhur kuletën teksa ka qenë në gjumë. Ndërsa kartat e identitetit janë hedhur në oborrin e shtëpisë dhe vetëm paratë janë marrë me vete.

Raportimet ndërkaq siç mësohet nga banorët e zonës, janë se kjo nuk është nata e parë kur kryhen vjedhje. Ngjarje të tilla ka pasur edhe në ditët paraardhëse.

Mësohet se pre e grabitjeve kanë qenë rreth tre ose katër shtëpi, dy mbrëmje më parë. Një prej dëshmitarëve, ka bërë me dije për Albanian Post se grabitësit janë futur nga dritarja.

Së bashku me familjarët, personi i është drejtuar banesës rreth orës 02.30 të natës. Në çastin e hyrjes për në banesë, ai ka parë se një prej dritareve ka qenë e hapur. Ndërkohë skema është e njëjtë: Personit i janë vjedhur paratë nga portofoli dhe disa sende me vlerë, ndërsa kartat e ndryshme janë hedhur në oborrin e shtëpisë.

Kjo situatë ka krijuar shqetësim të madh në komunitet, duke çuar banorët në gjendje paniku dhe pasigurie.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Albanian Post