Nga Viktor Malaj
Fajin e kanë gjithmonë të tjerët
Deputeti dhe kryetari i PS -së së Fierit, z. Petro Koçi denoncoi fillimisht në shtyp dhe pastaj në SPAK një apo disa raste korruptive në bashkinë e Fierit. Sipas Koçit atje ka depërtuar bota e krimit të organizuar dhe njerëz të kësaj kategorie po marrin tendera dhe shkelin ligjet e shtetit. Kur u pyet pas daljes nga zyrat e SPAK nëse mund të jepte hollësi lidhur me çfarë ka denoncuar, deputeti socialist la të kuptohej se bëhet fjalë për akte korrupsioni të kryer nga ish-zyrtarë të LSI-së.
Që LSI-ja ka qenë simboli i allishverisheve dhe i korrupsionit në të gjitha administratat shtetërore, qendrore dhe vendore, ku ka marrë pjesë gjatë qeverisjeve të majta e të djathta, kjo nuk vihet në dyshim, por të akuzosh sot LSI-në, kur ajo ka katër vjet në opozitë dhe kur thuajse të gjitha bashkitë e vendit drejtohen nga PS-ja, kjo përbën një absurditet. Unë nuk jam kundër denoncimit dhe ndjekjes penale ndaj korrupsionit të mëparshëm, por besoj fort se është detyrim moral, qytetar dhe politik t’iu drejtohet gishti të gjitha akteve korruptive që janë në gjallim e sipër në disa pjesë të administratës shtetërore, qendrore dhe vendore, të drejtuar nga PS-ja. Ata që ia duan të mirën vendit dhe popullit dhe që qëndrojnë larg lojërave politike apo interesave vetjake, duhet t’i drejtojnë dylbitë tek veprimtaria aktuale e pushtetarëve të sotëm. Të etiketosh apo denoncosh gjithnjë të tjerët dhe, thuajse, asnjëherë të tutë, nuk është tregues i integritetit të lartë dhe as i ndonjë idealizmi të lavdërueshëm. Edhe pse mund të ketë të drejtë në pretendimet e tij, z. Koçi dhe kolegët e tij të shumicës qeverisëse duhet ta fillojnë, më në fund, “inspektimin” dhe luftën kundër të keqes brenda “shtëpisë” së tyre politike. Kështu do të shfaqen më fisnikë dhe do të bëhen më të besueshëm.
**
Gazetar apo “xhandar”?!
Zoti Erion Braçe është nga të paktat figura politike shqiptare që ka krijuar bindjen e përgjithshme se është qytetar dhe politikan i pakorruptuar dhe njeri që përpiqet të bëjë gjithçka mundet për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme. Mirëpo, nga ana tjetër, duket qartë që ai nuk ndihet ende ai që duhet të jetë sa i përket postit shtetëror që mban. Jo për të parën herë, z. Braçe u shfaq në shtypin e përditshëm në rolin e gazetarit (prej nga ka pasur fillimet e veta të punës) dhe denoncoi rastin e një kompanie ndërtimi në Tiranë, e cila iu prishte qetësinë qindra banorëve përreth pallatit ku ndërtonte ajo, në orët e mëngjesit dhe të darkës.
Kritikave të gazetave apo komentuesve, z. Braçe iu përgjigj se ai po prononcohej si qytetar dhe jo shtetar. Së pari, z. Braçe duhet të kuptojë se është shumë më tepër se një qytetar, se një gazetar, madje edhe se një deputet. Ai është de jure figura e dytë e pushtetit ekzekutiv, pushtet i cili ka detyrën dhe përgjegjësinë të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve dhe t’i detyrojë shtetasit shqiptarë apo të huaj ta zbatojnë atë brenda territorit të RSH. Nëse ligjet janë të mangëta apo të paqarta, është detyra e z. Braçe, dhe jo vetëm, t’i propozojë Parlamentit përmirësimin e tyre dhe t’i kërkojë administratës shtetërore kryerjen me korrektësi të detyrave që lidhen me respektimin e legjislacionit shqiptar.
Duke pasur parasysh sa më sipër, as z. Braçe dhe askush tjetër që është zgjedhur dhe paguhet prej nesh për të qeverisur nuk mund ta ndajë statusin e qytetarit apo gazetarit me atë të postit shtetëror. Prononcimet e tij janë një e drejtë kushtetuese, ndërkohë që prej njerëzve me funksione të tilla kërkohet, në radhë të parë, jo të bëjnë gazetarin, por “xhandarin”. Pra, mbikqyrësin dhe kërkuesin ekzekutiv të zbatimit të ligjshmërisë ndaj kujtdo. Prononcimet e tilla, aq më tepër kur janë të shpeshta, qofshin në shtyp apo rrjetet sociale e paraqesin zyrtarin e lartë si të pafuqishëm dhe, ndoshta, të papërshtatshëm për postin që mban, në një kohë që njerëz politikë si ai i nevojiten shumë vendit dhe popullit.
**
OSBE, Balla dhe Basha
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri i ngjante më shumë një përmbledhjeje bisedash kafeneje (hearsay) apo një përgjigjeje të cekët ndaj pretendimeve opozitare sesa një akt me konkluzione që dalin nga vëzhgimet në terren. Të kesh dhjetëra apo qindra vëzhgues në qendrat e votimit dhe në qytete e fshatra dhe pastaj të përmendësh probleme zgjedhore pa i ilustruar ato me shembuj konkretë të konstatuar do të thotë se ke bërë një punë shkel e shko. Nëse raporte të tillë thjesht evidentojnë probleme reale apo të paqena dhe japin disa rekomandime të stërpërsëritura, atëherë do të jetë më mirë që OSBE t’i ndjekë proceset zgjedhore nga TV-ja dhe të mos shpenzojë para për të sjellë njerëz në terren, të cilët kanë “parë” e dëgjuar aq sa ne të tjerët nga dhoma e ndenjes.
Nuk ka asnjë diskutim nëse ka pasur apo jo parregullsi gjatë procesit zgjedhor, parregullsi që nuk lidhen me administrimin e zgjedhjeve nga KQZ-ja, por me sjelljen e subjekteve politike dhe individëve të veçantë si zgjedhës. Fatkeqësisht, procese të përsosura zgjedhore nuk ka askund në botë, por ne kemi zhvilluar “shkollën” tonë 30-vjeçare të zgjedhjeve ku shfaqen mentaliteti ynë, papjekuria politike dhe mungesa e theksuar e dinjitetit në pranimin e rezultateve zgjedhore.
Taulant Balla dhe Lulzim Basha u vunë në garë për të na treguar, i pari se “këto ishin zgjedhjet më të mira gjatë 30 viteve” dhe, i dyti, se “raporti vërtetonte masakrën zgjedhore”. Të dyja pretendimet janë “përralla me mbret”. Nëse raporti i OSBE/ODIHR do të kishte konstatuar dhe provuar “masakrën zgjedhore”, ai do t’i kishte shpallur zgjedhjet të parregullta dhe të papranueshme, siç ka bërë, për shembull, me zgjedhjet e dhunuara të majit 1996 të organizuara dhe drejtuara nga partia e Bashës. E vërteta është se zgjedhjet kanë pasur të meta dhe ndonjë parregullsi sporadike, por kanë qenë dhe mbesin normale për kushtet dhe shkallën e zhvillimit të vendeve ballkanike, pse jo edhe evropiane. Z. Basha as nuk mund të gjejë ngushëllim tek ky raport dhe as mund ta përdorë atë si alibi të mbetjes në opozitë. Përrallën e “masakrës zgjedhore” mund të vazhdojë t’ua tregojë një grushti militantësh kokënxehtë partiakë, shumica e të cilëve kanë marrë pjesë aktive në masakrën zgjedhore të 26 majit 1996 dhe në manipulimet e proceseve të tjera zgjedhore ku ka pjesën e vet edhe Lulzim Basha.
**
Futboll dhe Faraonë
Federata Shqiptare e Futbollit i kërkoi kohët e fundit qeverisë të lejojë mbushjen e stadiumeve me tifozë, pavarësisht varianteve të reja të virusit të Covid- 19 tek ne dhe në botë dhe pavarësisht masave kufizuese që po zbaton mbarë bota. Pra, kjo federatë ka si përparësi paratë që vijnë nga ndjekja e ndeshjeve dhe jo jetët e njerëzve që i ndjekin ato në stadiume apo të të tjerëve që mund të bien në kontakt me këta.
Në të njëjtën kohë, shtypi njoftoi se Presidenti aktual i FSHF, z. Armand Duka do të kandidojë për herë të gjashtë si drejtues i këtij organizmi sportiv. Duket se Shqipëria nuk ka njeri tjetër që mund ta drejtojë federatën dhe prandaj na nevojitet një “faraon” i përjetshëm. Aferat e panumërta korruptive të FIFA-s dhe UEFA-s si dhe gjendja foshnjore e futbollit shqiptar jo vetëm sa i përket nivelit sportiv, por edhe ngjarjeve në stadiume apo shitjeve të ndeshjeve nga individë dhe skuadra, na e zgjidhin shpejt mëdyshjen përse duhet të jetë gjithnjë një njeri në krye të kësaj federate. Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.
**
Arka e Peshkut dhe “Arkat e Florinjve”.
Siç është njoftuar nga media, SPAK ka ndjekur penalisht dhe ka arrestuar në shtëpi një ish-zëvendësministre të Brendëshme sepse kishte përfituar nja dy mijë euro dhe një arkë peshk për dy punësime në dikasterin që drejtonte. Megjithëse zonja e ndjekur penalisht nuk e meriton të jetë zyrtare shtetërore, ulja e “stekës” kaq poshtë nga SPAK sa të merret me një “korrupsion” kaq qesharak ia ulë vlerat këtij institucioni dhe zhgënjen shumicën e qytetarëve shqiptarë që presin “mrekullira” nga ky organizëm i ri i drejtësisë.
Ajo që presin shqiptarët nga SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë është ndjekja dhe vënia përpara përgjegjësisë ligjore e autorëve dhe fajtorëve të “humbjes” së dhjetëra apo qindra milionë euro nëpër tendera e koncesione, të konstatuar çdo vit nga KLSH, si dhe ndjekjet penale për krimet e rëndë të ndodhur më parë apo sot në vendin tonë. Përpara ndjekjes dhe arrestimit të atyre që korruptohen me “arka peshku” duhen ndjekur e burgosur ata që kanë marrë apo vazhdojnë të marrin arka me “florinj”. SPAK, dhe jo vetëm, duhet t’iu tregojnë vendin atyre personave publikë apo horrave të rrugës që prej tri dekadash i kanë zënë popullit shqiptar diellin, rrugën, sigurinë dhe të drejtat e tij.
Një miku im, të cilit iu deshën dy dekada të fitojë të drejtën e pronave të trashëguara dhe prej katër vitesh rropatet nëpër dyert e drejtësisë në ballafaqim me grupet kriminale që ia kanë tjetërsuar pronat me dokumente false, më tregonte se para dy muajve i kishte dërguar një letër me postë drejtuesit të SPAK-ut, me të cilën kërkonte informacion rreth ecurisë së hetimit, por deri tani nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Edhe këta janë si të mëparshmit- më tha i dëshpëruar. E këshillova të priste edhe pak dhe i shpreha besimin tim se “këta duhet të jenë pak më të mirë”.
**
Policia, Gazetari dhe “Engjëlli Mbrojtës”
Nga një video e transmetuar në media dukej qartë dështimi i një grupi policor për të ndaluar dhe kapur në flagrancë një trafikant droge në Tiranë. Përveçse të papërgatitur profesionalisht për kryerjen e detyrës, dukej shkoqur që njëri nga policët ishte edhe i pakulturuar si qytetar pasi fjalori që përdorte gjatë aksionit policor nuk ishte i denjë për një punonjës shtetëror. Nuk arrij të kuptoj se çfarë i mësohet trupës policore nëse ajo nuk instruktohet dhe përgatitet si duhet për të paralizuar kriminelët që nuk i binden asaj. Pse duhet të jetë kaq e paqartë teorikisht dhe e vështirë praktikisht për të paralizuar një bandit që nuk hap xhamin e derës së makinës ku ndodhet, kur kjo i kërkohet nga policia? Nuk ka policia asnjë mbështetje ligjore dhe as mjete praktike për ta neutralizuar ligjshkelësin dhe për ta penguar të largohet me makinën e vet, duke i krijuar vetes mundësi të fshehë e dëmtojë provat e krimit të tij dhe t’i shmanget arrestimit?
Çuditërisht, polici që nuk arriti të paralizojë kriminelin iu vërsul një gazetari dhe e shtriu atë përtokë megjithëse nuk po kryente asnjë vepër penale. Ky lloj polici nuk meriton, as moralisht dhe as profesionalisht, të jetë pjesë e strukturave policore dhe eprorët e tij, deri në majën e piramidës së policisë, duhet të nxjerrin mësime nga rasti në fjalë dhe duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi përgatitjes profesionale dhe etike të policëve dhe të mos lejojnë që një apo pak kokrra të shkojnë dëm gjithë punën dhe sakrificat e trupës policore shqiptare.
Të gjithë duhet të jemi në krah të gazetarit në fjalë, z. Gjençaj, por të vjen çudi kur rolin e “engjëllit mbrojtës” të gazetarëve e merr njëfarë Lulzim Basha, i cili shkruante: “Dhunimi i reporterit Ergys Gjençaj është një akt i turpshëm… Represioni dhe dhuna ndaj gazetarëve është produkt i modelit Rama… Dhuna ndaj gazetarëve dhe lirisë së medias është dhunë ndaj demokracisë dhe lirive të çdo qytetari”. Është e çuditëshme se si nuk ka në krah të tij ndonjë njeri të mençur që ta mësojë të heshtë në disa raste dhe në shumë raste, sepse dëshira e tij e shtirë për t’u shfaqur si mbrojtës i lirive qytetare dhe të drejtave të tyre zgjon kujtesën e shqiptarëve. Shqiptarët kanë se çfarë episodesh të kujtojnë, ngaqë të gjithë e dinë se pushtetet e partisë që Luli përfaqëson kanë qenë shembullore në dhunën ndaj gazetarëve dhe qytetarëve.
Represioni dhe dhuna ndaj gazetarëve është produkt i modelit Berisha, por edhe Basha, pasi pushtetet e tyre kanë rrahur, plagosur, gjymtuar e burgosur gazetarë, djegur redaksi gazetash dhe ati shpirtëror e politik i Bashës, Baca Sali është shpallur armik i shtypit të lirë nga institucionet ndërkombëtare përkatëse. Basha nuk ka pasur kurrë guximin moral e qytetar të kërkonte ndjesë për çfarë qeveria e parë e PD-së iu bëri gazetarëve, por ai s’ka guxuar asnjëherë të dënojë aktin e djegies së makinës së gazetarit M. Baze kur ishte vetë ministër. Hipokrizia shpesh të ndihmon në politikë, por akoma më shpesh të zhvlerëson dhe të bën të përbuzshëm.
**
Varret Mesjetare dhe Antikomunistët e Çartur
Para dy javësh media njoftoi zbulimin e një varri mesjetar në jug të Shqipërisë. Të gjithë antikomunistët e çartur morën krahë pasi shpresuan se duke i paraqitur këto varre të vjetër si “varreza komuniste” do të kishin një rast të mirë për t’u dukur se janë dikushi. Shpurës së tyre iu bashkua me mendjelehtësi Presidenti i zhvlerësuar i vendit, z. Ilir Meta i cili bëri një deklaratë dhe thirrje për “dënimin e krimeve të komunizmit”.
Kemi tridhjetë vjet që gjithfarë njerëzish me karaktere të shëmtuar na kanë dalë në skenë dhe vringëllijnë shpatat e antikomunizmit dhe e përdorin kartën e tij si makiazh për t’u shfaqur simpatikë përpara popullit. Krimet e komunizmit janë dënuar dhe ato nuk mund të zhbëhen, por sot është detyrë e ngutshme të ndëshkohen krimet aktuale që po gërryejnë përditë konstitucionin shpirtëror e moral të shoqërisë duke dëmtuar të sotmen dhe të ardhmen e vendit, ndërsa autorët e tyre janë gjallë, të shëndetshëm dhe aq të paturpshëm sa të na bëjnë moral përditë dhe të na japin leksione se çfarë duhet të bëjmë.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Gazeta Dita