Vendosni fjalën kyçe....

12 ditë Vlora në flakë, Haki Çako: Kam qenë në një eveniment familjar


Prej 12 ditësh Vlora është pushtuar nga vatrat e zjarrit ndërsa mësojmë se kreu i Emergjencave Civile paska qenë në një eveniment familjar.

Çako e ka bërë rrëfimin për “Report TV”, duke shtuar se i merr leje vetëm Zotit.

“Jemi në operacion, do të vazhdojmë me të gjitha mjetet e mundshme, me të gjithë kapacitetet. Për të mos depërtuar. Kam qenë në fundjavë për një eveniment familjar, nuk mund t’i marr leje askujt përveçse Zotit dhe procedurave ligjore.  Nuk është e vërtetë që kam 1 javë që kam humbur. Kam qenë për dy ditë në një eveniment familjar”, tha ai.

“Sot janë në terren rreth 500 forca të armatosura bashkë me të gjitha strukturat e tjera. Helikopterët duhen futur në remont dhe kanë orët e tyre të fluturimit.  Kemi 2 helikopterë, aktualisht njëri është në operacion ndërsa tjetri për shkak të një defekti është ende në remont.  Nuk është e mundur të fluturojnë natën.  Po bëjmë maksimumin me gjithçka dhe sot shpresojmë që ta vendosim situatën në kontroll.  Duhet të kemi parasysh që ligji për mbrojtjen civile ka të përcaktuar qartë që duhet konsumuar të gjitha kapacitete e tjera pastaj duhen angazhuar strukturat operacionale qendrore, ku bëjnë pjesë edhe ato nga ajri.  Nuk mundet që për çdo zjarr të rënë të vëmë në dispozicion ndërhyrjen nga ajri. Pasi bëhet vlerësimi i situatës vihet në dispozicion.  Mjeti ka qenë në dispozicion, është operuar edhe në Berat për ditë të tëra ashtu sikurse ka operuar edhe në Vlorë”, shto më tej kreu i Emergjencave Civile që këtë fundjavë paska patur më të rëndësishme evenimentin familjar se detyrën.