Vendosni fjalën kyçe....

Hapet në Malësinë e Madhe dogana e Grabomit, Rama: E dyta që na bashkon, Mali i Zi të hyjë në nismën Ballkani i Hapur


Në Malësinë e Madhe është hapur dogana që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Në takimin për hapjen morrën pjesë kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi së bashku me Ministrat e Brendshëm.

Gjatë fjalës së tij Edi Rama kërkoi që Mali i Zi të përfshihet në iniciativën e Ballkanit të Hapur.

“’Dua ta falënderoj palën malazeze për realizimin e këtij investimi sepse prej sa kohësh e kishim kryer investimin dhe tani pika doganore e dytë që na bashkon dhe nuk duhet të na ndajë. Uroj shumë që me kryeministrin Krivokapiç, Abazoviç, ne të përparojmë dhe Mali i Zi të përfshihet në iniciativën e Ballkanit të Hapur’’– tha Rama.

Duke njoftuar projektin e ri që do lidhë Velipojën me zonën e Shtojit në Malin e Zi nëpërmjet një ure turistike, Rama theksoi se është e rëndësishme që paralelisht të hiqen edhe barrierat doganore dhe ato tarifore të ngjashme me liritë e BE-së.

Së shpejti siç kam folur me Abazoviç, mikun tim Dritanin ne do të angazhohemi për të ndërtuar urën që lidh Velipojën me pjesën e Shtojit këtej, nuk e kuptoj si do të ndërtojmë një urë që është në radhë të parë një rrugë kalimi turistik dhe aty do të kemi prapë kontrolle.

Shpresoj që paralelisht me urën të bëjmë dhe shembjen e barrierave burokratike, jotarifore, identifikimi i njerëzve, dhe ura të jetë nga një anë e lumit në tjetrën për gjithë turistët, qytetarët, vizitorët pa patur nevojë të ndihen se aty po ndahen nga një shtet në tjetrën.

Kjo është ajo që ndodh në BE. Kudo ka ura kalimi, ndodh pikërisht kështu, s’ka barrierë, pritje, kontrolle, identifikim dokumentesh. S’kemi nevojë të shpikimim asgjë të re. Një hapësirë ku sundojnë 4 liritë e BE.

Ky është qëllimi i nismës që kemi ndërmarrë, bashkë me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin maqedonas.

Është një nismë, në të gjitha vendet e rajonit tonë, përfshirë edhe Malin e Zi, Kosovën e Bosnjës, njerëzit të ndihen të lirë, dhe sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin standard si në BE. Nëse sot nëse të gjithëve u duhet të presin për të hyrë në BE, s’kanë pse të presin edhe për në vendet e rajonit.”- tha Rama.