Ndërsa Haki Çako merrej me problemet personale, zjarri ka avancuar aq shumë sa situata ka dalë jashtë kontrollit në jug të vendit.
“Jemi në operacion, do të vazhdojmë me të gjitha mjetet e mundshme, me të gjithë kapacitete. Për të mos depërtuar. Kam qenë në fundjavë për një eveniment familjar, nuk mund t’i marr leje askujt përveçse Zotit dhe procedurave ligjore. Nuk është e vërtetë që kam 1 javë që kam humbur. Kam qenë për dy ditë në një eveniment familjar”, tha kreu i Emergjencave Civile.
Por një situatë e frikshme paraqitet në Dukat të Vlorës, ku flakët kanë rrethuar banorët dhe pronat e tyre në fshat, ndërsa po avancon drejt pyllit të dendur, ku ka më shumë gjasa të përhapet nga era.
Këto janë videot publikuar nga Edlira Gjoni, që tregojnë përmasat e katastrofës.
Megjithatë Çako jepte një pamje më relaksuese, duke thënë që situata është nën kontroll. Problem mbeten vatrat në Karaburun por po ashtu edhe në Ksamil, për të cilat kanë shkruar edhe mediet greke.