Vendosni fjalën kyçe....

Viktima e parë nga zjarret në vend, reagon Basha: Masat gjysmake të qeverisë nuk normalizuan situatën


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pasi u shënua viktima e parë nga zjarret në vend.

Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Andrea Haxhiajt.

Më tej kryedemokrati i ka quajtur gjysmake masat e marra nga qeveria për të shuar flakët apo parandaluar ato.

Basha thotë se emergjencat civile dhe qeveria janë të papërgatitura për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore.

I shpreh ngushëllimet familjes së Andrea Haxhiaj që humbi jetën sot si pasojë e zjarrit në zonën e Gjirokastrës. Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend. Pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës.

Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore. Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh. Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve”-shkruan Basha.