Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Edi Rama mendon për luksin e tij kur përdor helikopterin e ushtrisë për udhëtime


“Edi Rama mendon për luksin e tij kur përdor helikopterin e ushtrisë për udhëtime. Nuk ndodh askund që në momente krize mjetet e pakta t’i marrë një individ  për të shtuar privilegjet”, reagon kryedemokrati Basha këtë mëngjes.

Ai shton se kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi.

Bashkë me reagimin e tij për situatën e rëndë krijuar në vend, Basha shpërndan edhe një foto, ku duket kryeministri Edi Rama në një helikopter ushtrie.

“Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij. Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi. Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët.”, shkruan kryedemokrati.

Ditën e djeshme u shënua dhe viktima e parë nga zjarret në Gjirokastër.