Ministria e Jashtme serbe ka njoftuar më 4 gusht për vdekjen e papritur të ambasadorit të Serbisë në Rusi, Mirosllav Llazanski.
Ambasadori i ndjerë tashmë, 71-vjecar, ka qenë më parë edhe analist ushtarak dhe gazetar.
Ministria ka thënë se ai ka “vdekur papritur”, mirëpo mediat serbe kanë cituar disa zyrtarë duke thënë se ai ka pasur sulm në zemër.
“Dedikimi i tij, përkushtimi dhe devotshmëria si ambasador i shtetit tonë, do të kujtohet ashtu sikurse shumë aktivitete me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të Serbisë dhe Rusisë”, ka thënë Ministria përmes një deklarate, raporton REL.
Llazanski është emëruar si i dërguar i Beogradit në Rusi, në korrik të vitit 2019.
Ai ka qenë gazetar për të përditshmen serbe, Politika, dhe analist ushtarak që ka raportuar nga zonat e konfliktit në Irak, Iran, Afganistan, Çeçeni, Afrikë dhe Lindje të Mesme.
Llazanski po ashtu ka raportuar gjatë luftërave të Ish-Jugosllavisë në vitet 1990, si dhe nga Krimea e Ukrainës, të cilën e ka aneksuar Rusia më 2014.
Ai ka qenë edhe komentator i shpeshtë për organizatën shtetërore ruse, Sputnik.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e, siç ka thënë ai, një “njeriu të madh”.
“Serbia ka humbur një burrë të mrekullueshëm, ambasadorin e saj në Federatën Ruse, një nga ekspertët më të mirë të mundësive gjeopolitike, strategjisë ushtarake dhe taktikave, një gazetar i jashtëzakonshëm, një publicist, dhe mbi të gjitha, një burrë të mirë”, ka thënë Vuçiq.
Në korrik të vitit 2020, në raportin e grupit Bellingcat për ndërhyrjen ruse në Maqedoni të Veriut, hulumtuesit e kanë lidhur Llazanskin me përpjekjet e Moskës “për të krijuar një rrip të vendeve ushtarakisht neutrale” në Ballkan.
Bellingcat ka thënë se zyrtarë rusë dhe serbë të inteligjencës kanë “krijuar lidhje” me Llazanskin dhe kanë pohuar se “kundërzbulimi maqedonas ka përfshirë Llazanskin si një nga propagandistët më të mëdhenj pro-Kremlinit në këtë shtet”.
Ministria e Jashtme serbe ka thënë se ceremonia e varrimit të Llazanskit do të zhvillohet në Beograd më 6 gusht.