Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit në Liban tentuan të hyjnë në parlament në përvjetorin e shpërthimit në Bejrut


Forcat libaneze të sigurisë përdorën gaz lotsjellës ndaj protestuesve që synonin të marshonin drejt ndërtesës së parlamentit me rastin e përvjetorit të parë të shpërthimit fatal në Portin e Bejrutit.

Protesta dhe marshime u mbajtën në shumë pjesë të kryeqytetit Bejrut, duke filluar nga orët e mëngjesit, me rastin e njëvjetorit të shpërthimit të madh që ndodhi në Portin e Bejrutit më 4 gusht 2020.

Mijëra njerëz u mblodhën rreth Portit të Bejrutit në orën 18:07, momenti kur 2.750 tonë nitrat amoni shpërthyen pas një zjarri në një depo në port, duke brohoritur “revolucion” dhe “njerëzit duan që regjimi të bjerë”.

Në ngjarjen përkujtimore të mbajtur rreth Portit të Bejrutit, u lexua nga Kurani dhe u bënë lutje për viktimat e shpërthimit, ndërsa po ashtu u realizua një fluturim demonstrues me ngjyrat e flamurit libanez nga aeroplanët e forcave ajrore mbi zonën ku ndodhi shpërthimi.

Protestuesit, duke mbajtur flamuj libanezë dhe pankarta me reagime ndaj udhëheqësve, marshuan drejt Sheshit të Dëshmorëve pranë Portit të Bejrutit.

Pasi një grup i zemëruar mes protestuesve synonte të marshonte nga Sheshi i Dëshmorëve drejt ndërtesës së parlamentit, forcat e sigurisë, të cilat kishin marrë masa të forta sigurie në zonë që nga dje, ndërhynë ndaj turmës me gaz lotsjellës. Grupi u përgjigj duke hedhur gurë ndaj forcave të sigurisë.

Kryqi i Kuq i Libanit njoftoi në median sociale se 62 persona u plagosën në incidentet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve, kurse 12 prej tyre u dërguan në spitale.

Ndryshe, më 4 gusht 2020, në Portin e Bejrutit shpërtheu një zjarr në një depo ku ndodheshin eksplozivë, dhe më pas ndodhi një shpërthim shumë i fortë që tronditi gjithë qytetin.

Presidenti Michel Aoun kishte deklaruar se shpërthimi u shkaktua nga 2.750 tonë nitrat amoni, i cili ishte mbajtur në depo në port për gjashtë vjet.

Më shumë se 200 njerëz vdiqën si pasojë e shpërthimit, mbi mbi 6.000 u plagosën dhe 300.000 njerëz u zhvendosën.