Vendosni fjalën kyçe....

Gaz dhe plumba gome kundër protestuesve që kërkonin drejtësi për viktimat e shpërthimit në Bejrut


Policia libaneze ka qëlluar me plumba gome dhe ka hedhur gaz lotsjellës mbi demonstruesit që hodhën gurë në Bejrut, të cilët janë të zemëruar që askush nuk është ndëshkuar për shpërthimin masiv të vitit të kaluar, ku u vranë qindra vetë.

Qindra protestues, disa të veshur me maska dhe përkrenare i vunë zjarrin barrikadave në rrugët jashtë parlamentit libanez dhe u përleshën me policinë të mërkurën në mbrëmje, raporton “Russia Today”.

Videot nga Bejruti tregojnë se tymi dhe municionet për kontrollin e turmës po përdoreshin kundër demonstruesve. Dhjetëra njerëz u plagosën nga trazirat. “Kryqi i Kuq Liban” tha se 45 personave iu dha ndihma e parë në vendin e ngjarjes, ndërsa 9 të tjerë u transportuan në spitalet e zonës.

Protesta e mbrëmjes ishte kulmi i demonstratave masive në Bejrut, ku me dhjetëra mijëra libanezë marshuan për të përkujtuar shpërthimin e 4 gushtit të 202-ës që shkatërroi portin dhe pjesën më të madhe të qytetit.

Rreth 218 njerëz u vranë nga shpërthimi, ndërsa më shumë se 7,500 u plagosën. Më vonë u vërtetua se shpërthimi ndodhi në një magazinë që ruante rreth 2750 ton nitrat amoniumi, një përbërës shumë shpërthyes i përdorur gjerësisht në plehra dhe bomba. Ngarkesa ishte konfiskuar nga një anije dhe ishte future në magazinë për gjashtë vjet para katastrofës.

Kryeministri Hassan Diab dha dorëheqjen pas shpërthimit të portit, por mbeti në funksionin kujdestar derisa të formohej një kabinet i ri. Kushtetuta libaneze kërkon që kryeministri të jetë mysliman suni por partitë politike të vendit nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë një koalicion të qëndrueshëm.

Demonstruesit i quajtën politikanët libanezë të korruptuar, kriminelë dhe terroristë, ndërsa kërkuan llogari për shpërthimin.