Vendosni fjalën kyçe....

Nga biseda sekrete Basha-Kim, te quajtja e ambasadores “Guvernatore” – Gjithçka mbi konferencën e re të Berishës


 

“Basha i kërkoi ambasadores Kim transparencë, PD ka detyrë të mos pranojë diktatin!”, kjo është deklarata e Sali Berishës ditën e sotme, duke shtuar edhe faktin se avokati i tij ka dorëzuar në Paris padinë për shpifje dhe se nuk ka marrë kompani lobuese për anullimin e vendimit “Non Grata”.

“Ambasadorja sillet si një guvernatore, qoftë në marrëveshjet që ndërmjetëson që shkelin ligjet e vendit duke i dhënë ish-bashkëshortes së kryeministrit gjykimin e dosjeve pavarësisht se aty gjykatësit janë të marrë peng. Shko ma gjeni pak vettingun e Sokol Sadushit, të Ilir Pandës, apo të Pupos. Nuk ekzistojnë. Po, është bërë vettingu i tyre po mbahet sekret. Te vettingu i së shoqes doli se Sadushi kishte shitur një apartament 55 mijë euro dhe kur thoshte e kam shitur, apartamenti figuronte në emrin e Sadushit si kolateral në bankë për të marrë kredi. Pra parregullsi të jashtëzakonshme. Ish-ministri Panda, nuk mund të bëhet publik vettingu i Pandës, tjetër se nuk e do Ramën se akuzohet që i ka nxjerrë “Bildit” regjistrimet. Këta s’flasin, se po të ishin karakter, po janë peng”, theksoi më tej.

“Deklarata e ambasadores me barin është një nga deklaratat më skandaloze. I kërkoj zonjës të kërkojë ndjesë dhe padiskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim”, komentoi deklaratën e Yuri Kim-it Berisha.

A ju ka kërkuar Basha të dorëhiqeni?

Berisha është përgjigjur:

“Kam biseduar me zotin Basha. Zoti Basha më ka njoftuar se në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar ambasadores të paraqesë një provë, një fakt, një dokument. Zonja është paraqitur, i ka thënë “i kemi po nuk mund t’i paraqesim”. Atëherë në këtë mënyrë mund të kundërshtosh çdo opozitë. Nuk është në dorën e askujt të mos më çojë mua në Kuvend në shtator. Zoti Basha dhe asnjë kryetar partie nuk mund të bllokojë hyrjen në parlament të deputetit të votuar nga zgjedhësit shqiptarë.”

Lidhur me mbështetjen e amerikanëve ndaj PD-së, Berisha tha se USA ka mbështetur qeverinë, duke sjellë disa shembuj:

“Unë besoj se po t’u referohesh këtyre viteve atë fjalën mbështetje e merr me rezervë. PD u akuza zyrtarisht se ka marrë fonde ruse. Paraardhësi i kësaj zonje erdhi me një dosje për Bashën. Dosja kishte shkrime të “Mother Jones” dhe unë i thashë aty për aty “kjo është gazeta Mother George”. Ato provonin trillimet e një gazetari por u thoshte deputetëve të PD-së që shkoni te Berisha se ka marrë dokumente. Ata ngelnin pa mend kur ju tregoja.

Ose merr pak Reformën në Drejtësi nëse ju intereson e vërteta, opozita luajti rol themelor në paketën kushtetuese dhe parimin e kapjes në kushtetutë. Si kurrë ndonjëherë një lider opozite u telefonua nga Merkel, parlamenti europian, komisioni europian se të gjithë e panë se po bëhej një përpjekje demoniake për të kapur drejtësinë.

Mos harro Donald Lu-në me autoparlant para parlamentit: Liro reformën.

Të nesërmen zgjedhjet që ishin më të padenja, me praktikat e patronazhistit, është sistem pas heqjes së skllavopronësisë. Këtë e vendosi Enver Hoxha. Pyet pak se çfarë bënin patronazhistët gjatë diktaturës. Këtu ka një mbështetje të hapur ndaj qeverisë.”

“Jam kategorikisht kundër bashkëqeverisjes me Ramën”, theksoi Berisha.

 

“Nuk kam asnjë informacion për asnjë njeri.”, u përgjigj Berisha kur u pyet nëse ka informacion nëse edhe për presidentin Ilir Meta do merret një vendim i tillë nga SHBA për ta shpallur “Non Grata”.

 “Javën që kaloi avokati ka dorëzuar padinë. Kjo padi bazohet në precedent të mëparshëm të ngjashëm. Unë i bëj thirrje sekretarit Blinken në emër të transparencës të dërgojë pranë kësaj gjykate çdo fakt, që ai apo kushdo tjetër në botë disponon kundër meje dhe familjes sime”, tha Berisha.

Berisha tha se me këtë padi kërkon të mbrojë dinjitetin e tij, të familjes dhe gjithë shqiptarëve.

“Kjo padi është për dinjitetin njerëzor që është i shenjtë. Me këtë padi dua të bëj transparencë para shqiptarëve që për 30 vjet më kanë votuar. Dua të provoj se ky vendim është politik. Karakterin politik të këtij vendimi e provon edhe fakti se megjithë kërkesën që të faktohen akuzat, deri sot nuk është paraqitur as edhe vetëm një e tillë për shkakun e vetëm se ato nuk ekzistojnë.

Vendimi i Blinken bazohet mbi raportet e OJF-të të sponsorizuara nga Soros, raportet e medieve të sponsorizuara nga qeveria, pra raportet e Edi Ramës. George Soros dhe Edi Rama, është një hakmarrje publike ndaj meje që mbroj interesin publik. Në veçanti kjo është hakmarrje politike për kundërshtimin tim të prerë për ndryshimin e kufijve. Ky vendim shënon një abuzim të ligjit. Është e drejtë e Blinken të vendosë kush të hyjë në SHBA dhe kush mos të hyjë por unë kam ngritur padi ndaj shpifjeve.”, tha më tej Berisha.

“Mbi këtë planet nuk ekziston njeri apo institucion shqiptar apo i huaj që mund të thotë se mund të ekzistojë një fakt që vërteton abuzime apo çdo lloj korrupsioni mbi Sali Berishën”, u shpreh ai.

I pyetur për vendimin e Bashës lidhur me një kërkesë të mundshme për largimin e Berishës, ai tha: “Ambasadorja Kim është unike në botë si ambasadore që pasi ka lavdëruar një masakër zgjedhore, kërkon t’i diktojë këtij vendi se kush duhet apo nuk duhet të futet në parlament.

Ajo e lidhi me dogmën e barit, jo rastësisht. Ajo është njeri i shkolluar mirë dhe ajo ka lexuar edhe Enver Hoxhën, edhe Abraham Linkolnin se në politikë lexon.

Diktati dhe bari janë binom i pandarë. Shqiptarët e dinë mirë se në diktaturë, diktatori u ofronte njerëzve si rrugë shpëtimi për mbrojtjen e tij barin dhe duhet t’u them këtu se shqiptarët kanë ngrënë bar dhe kanë vdekur nga bari, kanë ngrënë mish të ngordhur, dhe kanë vdekur.

Diktatura dhe bari janë të lidhura. Dhe gjithçka po bëj është që shqiptarët mos hanë bar! Dhe rruga e vetme që shqiptarët të mos hanë bar është transparenca.

Qëndrimi im, nuk mbrohem unë nga imuniteti, nga sovraniteti, por Sali Berisha nuk pranon që nën diktat t’i shkelë ato. Rruga e vetme për t’i mbrojtur ato është transparenca.

Nuk ka forcë në botë përveç Të Gjithfuqishmit që mund të më pengojë mua të ushtroj misionin tim. Kjo është përfundimtare!

Sa di unë, kryetari në takim me Kim ka kërkuar të njëjtën gjë, transparencë. Por ata kanë frikë nga e vërteta, ata i tremben!

Cilido që akuzon pa fakte bazë ka probleme madhore me karakterin e tij.

Kam qenë në një vend mik para pak vitesh dhe më priti kryetari i Parlamentit. Ai ishte blacklistuar si Sali Berisha, që të gjithë në përballje me George Soros. Natyrisht ata vazhduan me sukses punët e tyrë në parlament dhe fituan zgjedhjet, administrata hoqi vendimet e marra mbi trillime, sigurisht i keqardhur.

Lulzim Basha ka kërkuar gjatë gjithë takimit që ta dini ju prova, fakte, dokumente.”

I pyetur për kundërshti të brendshme të grupit parlamentar me qëllim kërkimin e dorëheqjes së Berishës, ish-kryeministri tha nuk ka asnjë informacion.

“Unë nuk kërkoj ndryshimin e vendimit. Ai është i zoti i shtëpisë. Por nga ana tjetër ka detyrë njerëzore, dinjiteti të kërkojë fakte, prova. Mendoj se ata të cilët nuk e bëjnë këtë kanë probleme me veten e tyre.

Ju keni parë një hordhi hajdutësh duke vrapuar në studio televizive që thonë “Eureka, Eureka” duke menduar se shpëtuan nga denoncimet e Sali Berishës, ajo që kërkoj unë nga çdo shqiptar: kërkoni një fakt, dokument, kërkoni transparencë që nesër mos t’jua kujtojë kush barin”, bëri apel Berisha.

 “Në parlament unë do futem ashtu siç më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Unë kërkoj nga PD të mos angazhohet në këtë betejë. PD ka një detyrë, të kërkojë fakte prova, dokumenta. A, ka një detyrë tjetër, të mos pranojë diktatin se diktati të çon të bari, te fyerjet që bëhen me barin”, siguroi Berisha për ndonjë dalje të mundshme si i pavarur dhe po ashtu i bëri të qartë Bashës publikisht se çfarë detyre ka ai dhe PD.

“Irritimi i saj (Kim) për daljen time në një TV të Kosovës, unë shpreha rezervat e mia po nuk fyeva, ishte rasti për Mathew Palmer, ai ishte nxitësi i projektit dhe me këtë rast dua t’i them se zëri im do të trefishohet në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve, ashtu siç gjykoj unë pa patur monopolin, kjo nuk mund të ndryshojë nga asnjë lloj presioni nga cilido mbi tokë”, tha më tej detaje nga takimi Kim-Basha, Sali Berisha.

Berisha e mbajti këtë konferencë pas “ultimatumit” të dytë të ambasadores amerikane në Tiranë, ku i kërkonte kryetarit të PD-së Lulzim Basha kontrollin e listave të deputetëve. Yuri Kim i ka kërkuar Bashës largimin e Berishës nga lista e deputetëve demokratë në këtë legjislaturë të re.

“Për një kohë tepër të gjatë, korrupsioni është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të blerë politikanë, për të fituar kontrata dhe për të ndërhyrë në proceset demokratike. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprimeve të tyre se lufta kundër korrupsionit është një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Duam një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë. Duam një partner, jo një problem”, shkruante dje ambasadorja Kim.

Berisha reagoi menjëherë pas “presionit” të parë të ambasadores Kim duke i thënë se ka gabuar rëndë që u tregon barin demokratëve dhe se duhet të kërkojë falje. Ish-kryeministri tha se do të ulet më i motivuar në karriget e parlamentit./ Hashtag.al