Vendosni fjalën kyçe....

Shantazhi i dyfishtë


Nga Sokol Shameti

Për 2 dekada mantra e çdo qeverie të Tiranës ka qenë: “Me Kosovën bashkohemi kur të hyjmë në BE”.

Pas dy dekadash, utopisë për bashkimin me Kosovën s’i ka ndryshuar afati: kur të na pranojë BE-ja (pra: kur të piqen goricat në Shën Ndre).

Ndërsa për bashkimin me Serbinë ndryshon puna. Atë tani e duam urgjent. Nuk na pret puna për të. Madje, edhe po nuk na pranoi BE-ja që të bëhemi një me Serbinë kur të hyjmë në union, ne e sfidojmë BE-në dhe bashkohemi vetë për inat të BE-së. Si mund të durojnë qeveritarët e Tiranës pa u bashkuar me Serbinë deri sa t’i vijë veza BE-së?

Ndërsa siç thamë, me Kosovën, vazhdojmë, presim. Bashkohemi kur të hyjmë në BE.

(Ose po deshi Kosova, le të hyjë në unionin me Serbinë që e quan me kushtetutë Kosovën si provincë të vetën dhe t’i lejojë çetnikët serbë që rrugës për në plazh në Durrës, të hedhin një sy nëse shfarosja që kanë kryer në Kosovë ka mjaftuar apo duhet përsëritur nga e para).

Nëse nuk është ky shantazh i dyfishtë, është e njëjta gjë me emër të ndryshëm.