Vendosni fjalën kyçe....

Hezbollahu sulmon Izraelin me raketa në zonën e Shebaa-s


Grupi libanez i përkrahur nga Irani, Hezbollah, tha se ka hedhur raketa afër pozicioneve izraelite në zonën e kontestuar të Shebaa-s, duke i rritur edhe më shumë tensionet kufitare.

Përmes një deklarate, Hezbollahu tha se sulmi me dhjetëra raketa ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të së enjtes nga Izraeli, shkruan Reuters.

Ushtria izraelite tha se së paku dhjetë raketa janë hedhur në drejtim të Izraelit nga pjesa jugore e Libanit. “Si reagim ndaj më shumë se 10 raketave që sapo u hodhën drejt Izraelit nga Libani, tash për tash jemi duke i goditur vendet për hedhjen e raketave në Liban”, thuhet në një deklaratë të forcave izraelite.

Kjo është dita e tretë e tensioneve kufitare, të cilat po e vënë në rrezik një periudhë të qetësisë, që ka mbizotëruar nga viti 2006, kur Izraeli dhe Hezbollahu zhvilluan një luftë njëmujore.

Ushtria izraelite tha se shumica e raketave të hedhura të premten janë penguar nga sistemi anti-raketor, “Kupola e Hekurt”, ndërsa të tjerat kanë rënë në zona të hapura. Nuk pati raportime për pasoja në njerëz apo dëme materiale.