Finalizohet operacioni policor i koduar “Detonatori”, shpërndante kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, vihet në pranga 38-vjeçari.
Gjatë kontrollit në banesën e 38-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, ndezës detonatorë për granata, dy karta identifikimi policie të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme.
“Shërbimet kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Detonatori”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: A. G., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është kapur në flagrancë duke qarkulluar me automjet, nga kontrollit i të cilit u gjet një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, të cilat ky shtetas ia shiste përdoruesve të ndryshëm, në zonën e Yzberishtit, Pallateve Çabej dhe Astirit, kundrejt vlerës 3500 deri në 7000 lekë të rinj për dozë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, municion luftarak, ndezës detonatorë për granata, 2 karta identifikimi policie të dyshuara të falsifikuara, 2 peshore elektronike, 1 automjet, 1 motomjet dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e përgatiste në doza të vogla, gati për shitje në zonat e lartpërmendura.”, jep detaje policia.